Peshëngritësja shqiptare Enkileda Carja është shpallur kampione bote e trefishtë në Botërorin e Peshëngritjes për moshat deri në 17 vjeç që u mbajt në kryeqytetin e Perusë, Lima.
Kjo është hera e parë që Shqipëria fiton medalje ari për të rinjtë në një kompeticion të tillë, me Carjan që është futur në histori.
Në emisionin “ABC e Mëngjesit”, Carja u shpreh se ishte një eksperiencë shumë e mirë për të dhe mori titullin kampion, pasi në shtytje ngriti 115 kilogram.
“Ndihem goxha bukur, është eksperiencë shumë e mirë. Në fakt, ngaqë është hera e disaatë që marr pjesë në aktivitete ndërkombëtare, emocionet nuk ishin të mëdha. Kur kupriova se sa larg kisha arritur, kisha emocione. Nuk kisha më kë e ndaja përveç trajneres sime. Sa i përket shtytjes, prisja që të hyja në treshe Konkurrenca nuk ishte edhe aq e fortë. Shtytjen e fillova me 110 kilogram. Këtë po, ndërsa provën e fundit që më dha titullin kampion bote, e kisha provuar, por nuk e kisha realizuar”, theksoi ajo./abcnews.al