Saturday , April 19 2025

Festa e ditëlindjes që përfundoi me breshëri plumbash, detaje nga manovrimet e shoferit të familjes së biznesmenit Demiraj për t’i shpëtuar atentatit

Detaje të reja kanë dalë nga atentati tronditës i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ku katër persona mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri ndaj një automjeti luksoz tip Mercedes Benz G-Class. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, në segmentin midis rrethrrotullimit të Shkozës dhe zonës së Agropark, përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan.

Të plagosurit janë identifikuar si:

Dior Demiraj, 11 vjeç (djali i pronarit të “Pelikani Security”)

Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç (nip i pronarit të kompanisë)

Kian Mullahi, 19 vjeç, mik i familjes Demiraj

Arenc Stafa, 34 vjeç, shofer i familjes dhe kompanisë “Pelikani Security”

Festa që përfundoi në tmerr

Katër të rinjtë ishin nisur pasdite drejt Pjezës së Shijakut, ku në ambientet e Arena Karting Albania kishin organizuar një festë për ditëlindjen e 11-vjeçarit Dior Demiraj. Në festë morën pjesë djali dhe nipi i pronarit të kompanisë së njohur të sigurisë private, së bashku me mikun e tyre Kian Mullahi, i cili sapo ishte kthyer nga Londra për pushimet e Pashkëve. Të tre janë banues në Rolling Hills, Lundër, dhe njihen si shokë të afërt e komshinj.

Të rinjtë u shoqëruan nga shoferi personal i familjes Arenc Stafa, me mjetin luksoz të familjes Demiraj, me targa AB002MD. Pas festës, ata u nisën për t’u kthyer në Tiranë, me destinacion shtëpitë e tyre në Lundër, ku do vijonin festimet familjare.

Sulmi i armatosur në rrugë

Rreth orës 21:30, gjatë kthimit, teksa po lëviznin në Unazën Lindore dhe ishin futur në rrethrrotullimin e Shkozës, automjeti i tyre u vu në ndjekje nga një fuoristradë, nga ku persona të paidentifikuar hapën zjarr në lëvizje.

Sipas hetimeve paraprake, breshëria më intensive e plumbave ndodhi pranë zonës së Agropark, ndërsa shoferi i G-Class tentoi t’i shpëtonte sulmit duke drejtuar automjetin me shpejtësi drejt Lundrës. Si pasojë e të shtënave të shumta, automjeti u dëmtua rëndë dhe përfundimisht u përplas në një pikë pranë banesave të të rinjve.

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë qytetarë të rastësishëm, të cilët ofruan ndihmë të parë dhe me automjete private i transportuan të plagosurit në Spitalin e Traumës.

Gjendja shëndetësore dhe reagimi i familjarëve

Shoferi Arenc Stafa dhe Kian Mullahi janë jashtë rrezikut për jetën.

Marko Demiraj, 17 vjeç, ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Dior Demiraj, 11 vjeç, është në gjendje më të rënduar dhe po trajtohet në spital.

Më pas, dy nga të rinjtë, 17 dhe 19 vjeç, janë transferuar për trajtim në një spital privat. Familjarët janë njoftuar nga policia rreth një orë pas ngjarjes dhe kanë mbërritur menjëherë në spital.

Hetimet dhe dyshimet

Policia dyshon se autorët e atentatit kanë qenë tre persona që lëviznin me një fuoristradë, të cilët janë larguar menjëherë pas ngjarjes në drejtim të paditur. Deri më tani, nuk ka asnjë gjurmë konkrete mbi identitetin apo motivin e tyre.

Një nga pistat që po hetohet është ngatërrimi i shënjestrës, pasi asnjë nga të plagosurit nuk ka precedent penal, konflikte apo përfshirje në çështje kriminale. Edhe deklaratat e dhëna nga të rinjtë në spital kanë konfirmuar se nuk kishin pasur asnjë incident gjatë ditës apo më herët.

Mësohet se Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit dhe po vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.