Vetëm 3 javë pasi është rihapur kontrolli teknik i mjeteve janë paraqitur rreth 20 mijë automjete, por 25% e tyre nuk e kanë kaluar testin. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja në një intervistë në medie bëri të ditur se rritja e numrit të mjeteve që janë kthyer për ritestim vjen për shkak të ashpërsimit të kritereve që duhet të plotësojnë mjetet për të kaluar kontrollin teknik.
Sipas tij, e gjithë kjo bëhet për të rritur sigurinë e jetës në rrugë për qytetarët.
“Është një kontroll që ka një përmirësim të ndjeshëm, një ashpërsim për sa i përket kritereve që duhet të kapërcejë mjeti për të kaluar kontrollin. Nuk lejohet të kalojnë mjete që deri dje kalonin, apo këshilloheshin për probleme të tilla, si fener e xhama të thyer, rrjedhje vaj, apo probleme që deri dje kanë qenë këshilluese. Sot nuk kolaudohen. Kjo ka bërë që të ketë një numër më të madh të mjeteve që nuk e kalojnë kontrollin teknik. Jemi në nivelin e 25% të mjeteve që futen për testim dhe ngelin, është një shifër e lartë. Në tre javët e para janë paraqitur për kontroll rreth 20 mijë mjete dhe nga këto 25% kanë ngelur, gati 5 mijë mjete. Një pjesë e tyre kanë shkuar për riparime, një pjesë e tyre ritestohen dhe kalojnë pasi kanë kryer riparimet e pjesëve problematike”, u shpreh Gonxhja.
Gonxhja shpjegoi se mjetet që nuk kalojnë dot kontrollin teknik kanë 1 muaj afat për të riparuar defektet dhe për t’u rikthyer në kolaudim. Në rast se nuk kthehen dhe qarkullojnë pa kolaudim gjoba arrin në 200 mijë lekë.
“Mjetet që nuk kalojnë kontrollin teknik kanë një muaj afat për t’u rikthyer. Janë rreth 1 mijë mjete që nuk janë rikthyer për ritestim. Kemi parë që këto mjete kanë qenë të testuara rishtazi, pra në vitin 2019-2018. Këto mjete janë kolauduar, ndërkohë që defektet e tyre janë deri 10-vjeçare. Për mjetet që mund të jenë duke qarkulluar jashtë këtij afati do të ketë penalizim. Gjoba parashikohet nga 40 deri në 200 mijë lekë”, tha Gonxhja.
Kreu i DPSHTRR renditi disa nga defektet më të shumta si frena, goma, sistemi i drejtimit të mjetit si dhe në shkarkimin e gazrave. “Kryesisht problemet janë në frenim, në sisteme drejtimi, në gomina, probleme që janë të rëndësishme për drejtimin, pastaj vjen pjesa e shkarkimit, pjesa e gazrave. Ka mjete që janë të pariparuara me dekada. Po punohet shumë me flotat, sepse janë në gjendje të mjerueshme, sidomos me flotat bashkiake. Në radhë të parë flotat e transportit të udhëtarëve që mund të jenë edhe me operator privat, autobusët urbanë rrethqytetës të Tiranës janë kampionë të ndotjes, jashtë çdo lloj standardi që mund të pranohen nga ana jonë apo nga kolaudimi. Këto po fotografohen dhe nuk do të tolerohen”, pohoi ai.
Aktualisht po kolaudohen mjetet e tonazhit të rëndë, të transportit publik, taksitë, rimorkiot, apo autoshkollat. Gonxhja thotë se në shtator fillon për veturat e qytetarëve.
“Shpresojmë të rikthehemi në shtator me qytetarët, në rezervimin në masë, të lirë në sistemin online, të gjitha mjeteve të tjera të cilat hyjnë gradualisht në ciklin për të marrë shërbimet. Ato që janë pa kolaudim në vitin 2020 nuk diskutohet që duhet të vijnë menjëherë, jo të presin shtatorin. Pjesa tjetër që ne po thërrasim janë ata drejtues me mjete të përdorura që kanë hyrë në vitin 2021 janë targuar dhe nuk janë kolauduar. Kemi rreth 30 mijë mjete që kanë hyrë në këto 6 muaj. Gjithë kategoria që ka bërë kolaudimin në vitin 2020, bazuar në normat e reja, do kryejë kontrollin teknik në vitin 2022”, u shpreh Gonxhja.
Gonxhja, pohoi se asnjë drejtues mjeti nuk do të ketë të drejtë të ndryshojë pikën e kontrollit, në rast se ngel në kontrollin e parë, për të shmangur kështu abuzimet. “Janë ndryshuar shumë nga mënyrat e bllokimit. Refuzimi i shërbimit është i gjithi në sistem, dhe bën që të mos migrosh më në pika të tjera. Pra po iki nga Tirana po shkoj në Laç, apo po gjej një mik e po e sajoj në Kukës”, tha ai.