ZYRTARE/ Elbasani largon Deden, ja kush do të jetë kreu i ri i pankinës. Zbardhen prapaskenat te verdheblutë

Elbasani i nis përgatitjet pa Nevil Deden. Në ditën kur do të startonte stërvitja, verdheblutë kanë mbetur pa trajner. Ka qenë vetë klubi që ka zyrtarizuar mesditën e djeshme se palët kanë ndërprerë në mes bashkëpunimin.

“AF Elbasani dëshiron të njoftojë të gjithë opinionin futbolldashës për ndërprerjen e bashkëpunimit mes klubit dhe trajnerit Nevil Dede. Politikat dhe strategjia e klubit nuk u gjendën në vija të përbashkëta kooperimi me trajnerin dhe për rrjedhojë të dy palët dakordësuan ndërprerjen e kontratës së përbashkët. AF Elbasani i përcjell falënderimet më të sinqerta trajnerit, për të gjithë kontributin e dhënë sezonin e shkuar si trajner i skuadrës në përmbushjen e objektivave dhe i uron suksese të mëtejshme në karrierën e tij”, shkruhet në njoftimin e klubit.

Gazeta kontaktoi trajnerin Nevil Deden për të komentuar largimin, por ai nuk preferoi të fliste. Për ndërprerjen e bashkëpunimit duket se të gjitha pistat të çojnë te kontradiktat që palët kanë pasur për merkaton, duke sjellë edhe largimin e Dedes. Së bashku me të largohen edhe dy ndihmësit Isli Hidi dhe Elton Kodra.

TRAJNERI I RI – Tani për Elbasanin nis një detyrë e re, gjetja e një trajneri të ri. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se trajneri i ri do të jetë i huaj dhe kanë nisur menjëherë kontaktet. Bëhet fjalë për një “timonier” me eksperiencë, i cili ka një karrierë të pasur mbi supe dhe burimet në klub pohojnë se kjo javë do t’i gjejë me trajner të ri. Pistat për një trajner shqiptar kanë rënë menjëherë pasi fill pas largimit të Dedes. Për momentin nuk ka asnjë emër konkret dhe drejtuesit janë hermetikë në këtë aspekt, por gjithsesi pritet që brenda javës të bëhet edh ezyrtarizimi i tij.

STËRVITJA – Stërvitjen e ditës së parë e kanë drejtuar dy ish-ndihmësit e Dedes, Eriol Merxha dhe Hektor Idrizaj. Ata do të jenë në drejtim deri sa tëvijë trajneri i ri. Në seancën e parë kanë qenë në stërvitje “senatorët” e edicionit të kaluar, si edhe një pjesë e mirë e lojtarëve nga ekipi i të rinjve që do shihen, nëse mund të afrohen në skuadër. Sakaq, doli në stërvitje edhe Bruno Lulaj, ndërsa sot do të dalin moldavi Kristian Dros dhe Emiljano Musta, të cilët pritet të zyrtarizohen nga klubi elbasanas. Përpos tyre me skuadrën është bashkuar edhe golashënuesi i 19-vjeçarëve të Elbasanit, Kron Abdiu, si edhe mesfushori i U19 të Kosovës, Endi Halili, të cilët shihen si investime për tëardhmen. Në anën tjetër, dështon marrëveshja me senegalezin Klidis da Silva, edhe pse kishte një marrëveshje paraprake mespalëve.dsgt

VLADIMIR MEMA