Vijon Buxhetimi me Pjesëmarrje në Funar, investime të reja për zhvillimin turistik të zonës.
Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje ka vijuar në Njësinë Administrative Funar, një nga zonat me potencialin më të madh turistik dhe natyror të Bashkisë Elbasan.
Në takimin me banorët mori pjesë Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, i cili vlerësoi kontributin e komunitetit dhe evidentoi investimet e rëndësishme që janë realizuar gjatë këtij viti në këtë zonë.
Gjatë diskutimit, u theksua se Funari tashmë është përfshirë në “Paketën e Maleve”, si një nga zonat që do të përfitojnë projekte të dedikuara për zhvillimin e infrastrukturës rurale dhe turizmit të qëndrueshëm.
Investimet e kryera dhe ato që pritet të nisin së shpejti, po i japin zonës një dinamikë të re zhvillimi, duke e kthyer në një qendër të rëndësishme për turizmin natyror dhe aventuror.
Sula bëri me dije se në muajin nëntor do të nisë edhe një projekt i ri në bashkëpunim me një organizatë në Elbasan dhe Bashkinë Elbasan, që ka të bëjë me ndërtimin e një Parku Aventurash modern, që do të sjellë zhvillim të zonës dhe një atraksion të ri turistik për Funarin.
Gjatë kësaj periudhe, në Funar janë realizuar ndërhyrje të rëndësishme në mirëmbajtjen e rrugëve rurale, pastrimin e kanaleve kulluese dhe sistemimin e rezervuarëve në Mollagjesh e Cërujë, si dhe rehabilitimi i aksit Letan–Funar, që ka lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e banorëve dhe vizitorëve.
Në kuadër të strategjisë për zhvillimin e turizmit malor, në Funar tashmë janë hapur bujtinat e para, si “Bujtina Agim”, që ofrojnë mikpritje dhe akomodim për turistë vendas dhe të huaj.
Zonës i janë shtuar gjithashtu aktivitete të reja turistike dhe sportive, që po e kthejnë Funarin në një destinacion të preferuar për pushime dhe aventurë.
Peizazhi i veçantë i zonës, me katër liqene të shpërndarë përreth fshatit, ofron mundësi për aktivitete si kajak dhe kanoe, ndërsa projekti në zhvillim “Funari Adventure Park” do të përfshijë një pistë parashutizmi, mbi 75 km shtigje malore dhe një qendër informimi për vizitorët, duke krijuar kushte për turizëm aktiv gjatë gjithë vitit.
Në kuadër të Buxhetimit me Pjesëmarrje, banorët parashtruan edhe propozime për projekte të tjera që lidhen me turizmin, bujqësinë dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, duke u bërë pjesë aktive e procesit të vendimmarrjes për zhvillimin e komunitetit të tyre.
Bashkia Elbasan vijon të mbetet e angazhuar në mbështetjen e zonave rurale me potencial turistik, duke e kthyer Funarin në një zonë me zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.