Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në selinë rozë kryesinë e Partisë Socialiste.
Fokusi i mbledhjes mësohet se do të jetë miratimi i kandidaturës së kësaj force politike në zgjedhjet për bashkinë e Himarës më 4 gusht.
Kandidatura më e mundshme e socialistëve është prefekti, Vangjel Tavo.
Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë nuk do të jenë të pazakonta vetëm për zhvillimin e tyre në mes të të nxehtit dhe në kulmin e sezonit turistik.
Ato do të jenë gjithashtu edhe zgjedhjet për të cilat partitë politike do të kenë më pak afat se herët e tjera për të zhvilluar fushatë elektorale.
Socialistët e kanë të qartë skenarin e vajtjes në zgjedhje të vetëm, dhe me një kandidat, që deri më tani, rrotullohet rreth Prefektit Vangjel Tavo, edhe pse burimet nuk përjashtojnë ndonjë emër tjetër surprizë në momentet e fundit.
Ekuacioni është më i vështirë mes opozitarëve, ku Berishës i takon të vendosë nëse do të përfshihet më në betejën për këtë qytet, apo do t’ja lërë atë PBDNJ-së ta përballojë e vetme. Skenarët paraprakë e shohin të vështirë kandidimin e djalit të Fredi Belerit nën siglën e PD-së, dhe më të mundshëm që Vangjel Dule të dalë veçmas me këtë emër.
Pas regjistrimit të kandidatëve, në Himarë do të fillojë zyrtarisht fushata elektorale, e cila do të mbyllet në 2 gusht, dhe do të jetë më e shkurtra ndonjëherë.
Në Himarë do të votohet dhe numërohet në formën tradicionale, përmes letrës, dhe identifikimi i votuesve do të jetë me aparatura elektronike. Në zgjedhjet e fundit, në këtë bashki morën pjesë në zgjedhje rreth 7800 votues.