Sunday , April 13 2025

Zgjedhjet e 11 majit, kandidatja e PS në Elbasan Aulona Bylykbashi: Synojmë të marrim 9 mandate

Aulona Bylykbashi, kandidatja e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, ka shpalosur prioritetet dhe vizionin e saj në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 11 majit. Me një karrierë 12-vjeçare në administratën vendore dhe aktualisht nënkryetare e Bashkisë Elbasan, Bylykbashi thekson se kandidatura e saj ka ardhur natyrshëm si pjesë e një liste që promovon të rinjtë dhe gratë me integritet.

“Kam një rrugëtim të gjatë si pjesë e PS-së. Kandidimi erdhi si një gjë e natyrshme por edhe si  vendim i drejtuesit politik për të qenë pjesë e kësaj liste. Ky moment si rrallë herë ishte një moment që kryeministri vendosi që PS të garonte me një listë përfaqësuesish të kishim akses te të rinjtë dhe gratë që kanë një integritet në profilet e tyre. Lista e mbyllur ka qenë një zgjedhje dhe futeshin njerëz që janë më të rinj. Unë e prita me shumë qejf pjesën e të qenit pjesë e listës së hapur dhe tani është momenti për të testuar nëse kemi bërë punë të mira dhe qytetarët do na mbështesin me votën e tyre.  Ky ishte një vendim i rëndësishëm i kryeministrit për të garuar me një listë që ka përfaqësim të denjë nga brezi i ri dhe gratë aktive në komunitet. Kam qenë e angazhuar prej vitesh në terren dhe kjo më ka ndihmuar të kuptoj më mirë nevojat reale të qytetarëve,” u shpreh Bylykbashi.

Në një intervistë për RTSH 24, Bylykbashi tha se do të sjellë ide dhe nisma konkrete përmes punës parlamentare. Sipas saj, PS synon të fitojë 9 mandate në Elbasan.

“Kam një sërë idesh se si mund të kontribuoj në Kuvend përmes nismave ligjore që prekin drejtpërdrejt qytetarët e Elbasanit. Që sot kam një sërë idesh se si mund të kontribuojë nesër në parlament përmes nismave ligjore për qytetarët. Marrëdhënie dhe kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarin është pjesë e punës time dhe mendoje se ky është çelësi për të qenë më pranë kërkesave dhe të kuptosh nevojat e tyre. Të gjithë si ekip këto zgjedhje janë historike pasi synojmë të marrim 9 mandate në Elbasan dhe jemi si ekip duke punuar për të rritur këtë objektiv” shtoi ajo.

Bylykbashi përmendi tre projekte madhore që po transformojnë qarkun e Elbasanit.

“Elbasani ka investuar në 3 projekte strategjike të mëdha që do të ndikojnë në transformimin e jetës së qytetarëve, që është rivitalizmi i lagjes së kalasë dhe do të kthehet në një potencial turistik duke krijuar zinxhirin ekonomik brenda mureve të saj. Rivitalizimi i metalurgjikut në një park industrial do të jetë një nga polet e zhvillimit ekonomik dhe projekti madhor i moto autoparkut ku pritet të sjellë rreth 200 mijë turistë për garat e Formula 1”, shtoi ajo.

Ndërsa infrastruktura urbane ka njohur përmirësime, ajo theksoi se fokusi i mandatit të 4 të PS-së do të jetë në përmirësimin e zonave rurale dhe institucioneve arsimore.

“Ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë, në nivelin lokal kemi bërë përmirësuar infrastrukturën por duhet ndërhyrë ende në zonat rurale dhe objektet arsimore. Në mandatin e 4 besoj se këto do të jen në fokus”, tha Bylykbashi.

Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e grave në politikë, duke thënë se Shqipëria është një nga vendet me përfaqësimin më të lartë të grave në rajon dhe se ky trend do të vazhdojë./rtsh.al/