Zbulohet parcela me kanabis në Elbasan, arrestohet një person

Policia e Elbasanit bën të ditur se ka zbuluar një parcelë me 29 bimë narkotike kanabis sativa në fshatin Bodin.

Për këtë rast është vënë në pranga një person, ndërsa është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit.

“Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Bodin. Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i këtij rasti. Procedohen penalisht kryetari i fshatit Bodin, për shpërdorim të detyrës dhe xhaxhai i të arrestuarit, për moskallëzim të krimit.

Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar, të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan gjetën në terren malor, në fshatin Bodin, 29 bimë narkotike cannabis sativa.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta policore, u identifikua dhe u arrestua pronari i tokës ku ishin kultivuar bimët, shtetasi F. B., 44 vjeç.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarin e fshatit Bodin, shtetasin R. H., 38 vjeç, mbi dyshime për shpërdorim të detyrës, dhe për shtetasin M. B., 75 vjeç, xhaxhai i shtetasit F. B., pasi dyshohet se ka patur dijeni për këtë krim dhe nuk ka kallëzuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.