Zbardhet djegia e qëllimshme e automjetit, 31-vjeçari theu arrestin shtëpiak për të djegur makinën

Komisariati i Policisë Elbasan ka finalizuar operacionin policor të koduar “Night 2”, duke zbardhur djegien e qëllimshme të një automjeti në fshatin Katund i Ri. Policia ka arrestuar një 31-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer ngjarjen, pavarësisht se ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ngjarja u shënua në rrugën “Caush Asllani”, ku automjeti i një 29-vjeçari u përfshi nga flakët. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet policore organizuan operacionin me qëllim identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motiveve të djegies.

Falë administrimit të pamjeve filmike dhe veprimeve hetimore, policia identifikoi dhe arrestoi të dyshuarin Xh. M., 31 vjeç, banues në Katund të Ri. Hetimet kanë treguar se ai e ka djegur automjetin më 20.11.2025, duke përdorur lëndë djegëse, për motive të konsideruara të dobëta.

Gjatë verifikimeve rezultoi gjithashtu se i arrestuari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët nga Gjykata e Elbasanit për veprën penale “Vjedhja”.