Ishte paralajmëruar se mund të kishte probleme, ndonëse në Gjermani nuk pati të tilla, pavarësisht të disa rasteve me koronavirus. Në Premier League u duk që në fillim ndryshe dhe ja ku doli “kryengritësi” i parë, N’Golo Kante i Chelsea. Mesfushori francez refuzoi të dilte në stërvitje nga frika e virusit dhe trajneri Frenk Lampard deklaroi se e kuptonte dhe se i qëndronte në krah.
Tekniku shpreson, gjithsesi, që lojtarët e tij të përgjigjen në apel, në mënyrë që Blutë e Londrës të përgatiten siç duhet për fillimin e pritshëm të kampionatit. Kante është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, thuajse i domosdoshëm për pjesën e mbetur të sezonit. Natyrisht ky i francezit nuk është ndonjë veprim heroik, është thjesht reagimi i një njeriu që e do jetën dhe familjen dhe që ka çfarë të humbasë.