Tuesday , July 8 2025

“Virtuozët”, dy net me muzikë klasike për publikun e Elbasanit

Elbasani mirëpriti një ngjarje të veçantë artistike këtë korrik, me koncertin “Virtuozët”, që solli në skenë disa prej instrumentistëve më të talentuar të skenës muzikore shqiptare.

“Virtuozët” po realizohet nën drejtimin artistik të Desart Shëmilit. Koncerti i parë u zhvillua mbrëmë në mjediset historike të Muzeut Etnografik, me pjesëmarrjen e violinistit të njohur Zeqir Sulkuqi dhe interpretimet e artistëve elbasanas. Mbrëmja e dytë vijon sonte te Kulla Hotel “Guri”, ku do të performojë Kuarteti i Harqeve “Mansius”, me një program të përzgjedhur nga repertori klasik ndërkombëtar.

Publiku do të ketë mundësinë të shijojë vepra të njohura nga kompozitorë të mëdhenj, të interpretuara me pasion, dhe frymëzim nga emra të spikatur të muzikës klasike shqiptare.

Koncerti “Virtuozët” vjen si një iniciativë për të afruar artin cilësor me publikun e Elbasanit dhe për të kthyer hapësirat muzeale dhe historike në skena të gjalla të kulturës.