Sunday , August 17 2025

Viktima e parë nga zjarret, urdhër evakuimi për tre fshatra të Gramshit. Ministria e Mbrojtjes thirrje urgjente: Largohuni nga banesat!

Regjistrohet viktima e parë nga zjarret që kanë përfshirë disa fshatra të Gramshit, konkretisht Kullollas, Bletëz, Menkollarë dhe Bulçar.

Sipas informacioneve nga Policia, bëhet me dije se një 80-vjeçar ndërroi jetë si pasojë e asfiksisë nga zjarri në që ndezi në kopshtin e banesës së tij, e që më pas u përhap masivisht në disa fshatra të tjerë.

Në fshatin Bulçar, si pasojë e përhapjes së flakëve, mësohet se ka mbetur e izoluar në një fermë një grua së bashku me dy fëmijët e saj.

Helikopteret e emergjencave janë pozicionuar në stadiumin e Gramshit në pritje për të transportuar të plagosur drejt Tiranës.

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje urgjente banorëve të këtyre fshatrave që të largohen nga banesat pasi rreziku është tepër i lartë.

“Thirrje urgjente! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”, thuhet në njoftim e Ministrisë.

Ndërkaq Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në këto zona, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.

Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve. Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Po ashtu, sipas informacioneve të deritanishme, bëhet me dije se në fshatrat Snosëm dhe Sojnik të njësisë administrative Kukur të bashkisë Gramsh, vatrat janë ende aktive, pasi terreni i vështirë, mungesa e aksesit rrugor për ndërhyrje dhe erat, favorizojnë përhapjen e flakëve.

Për të bërë të mundur neutralizimin e shuarjen e këtyre vatrave, në terren ndodhen 25 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe efektivët e MZSH Gramsh.

Bashkia Gramsh, në bashkëpunim me prefekturën dhe institucionet përkatëse, ka ngritur grupet e monitorimit dhe ka kërkuar mbështetje shtesë për ndërhyrje më efektive. Kryetari i bashkisë ka apeluar disa herë për vigjilencë maksimale dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e raportimit të hershëm të çdo rreziku zjarri. Dëmet në natyrë janë të konsiderueshme, pasi përveç sipërfaqeve të djegura, rrezikohen edhe habitatet natyrore të shumë specieve, si dhe vetë biodiversiteti i zonës.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e mundshme të shpërthimit të këtyre vatrave, përfshirë faktorët natyrorë, por edhe veprimtarinë e pakujdesshme njerëzore, e cila mbetet një ndër burimet kryesore të zjarreve në këtë periudhë të vitit.

Ngjarja ka ngritur shqetësim të madh mes banorëve të fshatit Sojnik dhe zonave përreth, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme drejt zonave të banuara mbetet i lartë.

Ndërkaq, është bërë i mundur izolimi i zjarreve në Cerrik. Situata vijon të mbahet në monitorim nga 20 efektivë e 2 mjete zjarrfikëse.

Në fshatin Hotolisht të Bashkisë së Librazhdit, vatrat vijojnë të jenë aktive, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë me intensitet për të shmangur rrezikun për banesat.