Vijon projekti Youth4CleanAir, LLatja: Të rinjtë janë motori i një Elbasani më të pastër

Bashkia Elbasan vijon angazhimin për një qytet më të pastër dhe një brez të ri më të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit, përmes programit edukativ #Youth4CleanAir, i cili po zbatohet në gjashtë shkolla të mesme të Elbasanit.

Ky projekt synon të promovojë riciklimin dhe të ulë ndotjen e ajrit duke edukuar nxënësit me praktika konkrete të mbrojtjes së mjedisit. Në shkolla janë vendosur koshat e diferencimit për plastikë, letër, qelq dhe mbetje organike, duke i mësuar të rinjtë të ndajnë mbetjet dhe të kontribuojnë në uljen e ndotjes dhe ruajtjen e burimeve natyrore.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një kulture të re mjedisore që nis nga bankat e shkollës për të ndërtuar qytetarë më të vetëdijshëm dhe një të ardhme më të pastër për Elbasanin.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja u se: “Investimi më i vlefshëm që mund të bëjmë është edukimi i brezit të ri. Përmes këtij projekti, po i japim të rinjve jo vetëm njohuri, por edhe mjete konkrete për të mbrojtur mjedisin. Elbasani ka potencial të jetë një shembull kombëtar në menaxhimin e mbetjeve dhe cilësinë e ajrit, dhe kjo nis nga shkollat tona dhe nga të rinjtë tanë.”

Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe partnerë mjedisorë, duke krijuar një model bashkëpunimi që forcon angazhimin komunitar për një Elbasan më të pastër dhe më të shëndetshëm.