Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) vijojnë me intensitet të lartë aksionin për prishjen e ndërtimeve të paligjshme përgjatë akseve rrugore kombëtare, të cilat janë ngritur në shkelje të distancave të sigurisë.
Aktualisht, ndërhyrja po zhvillohet në aksin Elbasan–Rrogozhinë, ku grupet operacionale të IKMT-së dhe ARRSH-së po largojnë objektet që pengojnë sigurinë dhe qarkullimin normal në rrugë.
IKMT ndau në rrjete sociale aspekte nga puna që po kryhet për lirimin e hapësirës publike, teksa theksoi se këto ndërtime përbëjnë jo vetëm shkelje ligjore, por edhe rrezik për jetën e përdoruesve të rrugës, duke cenuar infrastrukturën dhe penguar zhvillimin e investimeve publike në transport.
Qëllimi i aksionit është rikthimi i hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme, garantimi i standardeve të sigurisë rrugore, krijimi i kushteve më të mira për qarkullim dhe mirëmbajtja e rrugëve kombëtare.
IKMT bën thirrje për bashkëpunim nga qytetarët dhe operatorët privatë, duke theksuar se veprimet e paligjshme nuk do të tolerohen, ndërsa paralajmërohen aksione të ngjashme në akse të tjera në vijim.
Kjo nismë është pjesë e një plani kombëtar për sistemimin e hapësirave publike dhe rritjen e sigurisë në infrastrukturën rrugore, në përputhje me standardet europiane.