Saturday , July 12 2025

Vijojnë zjarret në qarkun e Elbasanit, evidentohen 21 vatra, flakët rrezikojnë edhe banesat

Qarku i Elbasanit është përballur gjatë kësaj jave me një numër të lartë vatrash zjarri duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në territorin e disa bashkive. Zjarret më të shumta janë regjistruar në bashkitë Elbasan, Prrenjas, Gramsh dhe Belsh.

Një ndër vatrat më problematike ka qenë ajo në fshatin Fierzë të Belshit ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej të paktën 8 hektarësh me bimësi të egër ,vreshta dhe ullishta. Zjarri ka rrezikuar seriozisht edhe disa banesa, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse është arritur të vihet nën kontroll pas më shumë se 3 orësh përpjekjesh të vazhdueshme. Zjarri i shfaqur në Fierzë të Belshit u favorizua edhe nga era dhe u përhap me shpejtësi duke shkaktuar dëme të tjera në pemëtari, vreshta, shkurre dhe lloje të ndryshme bimësie. Sipas informacioneve paraprake, zjarrfikësit kanë treguar përkushtim dhe sakrificë për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe territorit përreth. Ndërkohë, Policia e Qarkut ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit duke verifikuar nëse bëhet fjalë për një rast aksidental apo të qëllimshëm.

Autoritetet lokale dhe emergjencat civile u bëjnë thirrje qytetarëve për vigjilencë dhe bashkëpunim në parandalimin e situatave të tilla, të cilat rrezikojnë sigurinë publike dhe mjedisin. Vetëm gjatë kësaj jave në të shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan janë evidentuar 21 vatra zjarri, një shifër kjo mjaft shqetësuese për autoritetet lokale.

/rtsh.al/