Tuesday , June 10 2025

VËZHGIMI/ Elbasani, tetë lojtarë në fushë me dyshtetësi

 Elbasani është një ndër ato klube që i ka hapur dyert të huajve dhe që sipas të gjitha gjasave do ta bëjë sërish. Sidomos këtë sezon, ku dihet se nuk do të ketë më limit sa i përket këtij aspekti. Madje, një pjesë e mirë e formacionit titullar ka qenë i ndarë mes shqiptarëve dhe të huajve. Gjithsesi, ajo që ka rënë në sy përgjatë sezonit që lamë pas, lidhet me faktin se Elbasani ka pasur një numër të konsiderueshëm lojtarësh që në “xhep” kanë pasur dy pasaporta.

NËNSHTETAS GREK – “Panorama Sport” u ka bërë një vëzhgim lojtarëve me dy nënshtetësi që ishin pjesë e verdhebluve edicionin e kaluar në Superiore. Bëhet fjalë për tetë të tillë, të gjithë protagonistë në mënyrën e tyre, ku kush më shumë e kush më pak dhanë kontributin që skuadra të bënte një paraqitje dinjitoze. Bie në sy që janë tre futbollistë shqiptarë edhe me një nënshtetësi tjetër përveç asaj të vendit të tyre. Të tre kanë nënshtetësinë greke dhe kjo lidhet me faktin se kanë qenë familje emigrantësh që karrierën dhe jetën e tyre e patën lidhur me Greqinë. Bëhet fjalë për kapitenin Bruno Lulaj, mbrojtësin Harallamb Qaqin dhe mesfushorin Kristi Qose.

DY NËNSHTETËSITË E TJERA – Përpos tre shqiptarëve me nënshtetësi greke, janë edhe pesë lojtarë të tjerë me dy nënshtetësi. Për t’i marrë me radhë, mesfushori Kristian Dros lëviz me dy pasaporta, atë moldave dhe rumune. Në fakt, ai është një lojtar i kombëtares moldave, i cili aktualisht është i grumbulluar nga përfaqësuesja e vendit të tij. Për të vijuar më pas me dy afrikanë që kanë marrë nënshtetësinë portugeze. Bëhet fjalë për Abas Ibrahim nga Nigeria dhe Ze Gomesh nga Guinea. Nuk mungon as Karim Loukili me origjinë marokene, por që ka marrë edhe nënshtetësinë holandeze. I fundit në këtë listë është mbrojtësi Emir Azemoviç, me nënshtetësi malazeze dhe serbe. Për hir të së vërtetës ai nuk pati mundësinë të luajë për asnjë ndeshje me verdheblutë këtë edicion për shkak të një dëmtimi të rëndë, por që shihet si një nga shtyllat e prapavijës këtë sezon.

LEHTËSIRAT – Po t’i hedhësh një sy lojtarëve me dy nënshtetësi, janë të gjithë me pasaporta të vendeve europiane. Përjashtim bën vetëm Azemoviç që ka atë serben dhe malazezen, që nuk janë pjesë e Unionit. Si shqiptarët, ashtu edhe lojtarët afrikanë, në tërësi kanë arritur ta përfitojnë këtë nënshtetësi ku fillimisht kanë shkuar si emigrantë në këto vende dhe janë integruar plotësisht. Mirëpo, pasja e një pasaporte të një vendi pjesë e Bashkimit Europian, ka bërë që të kenë më lehtësira në pajisjen e dokumentacionit për të luajtur në shtetet ku kanë vijuar karrierën e tyre. Ndaj, në këtë aspekt, mund të thuhet se lojtarët me dy nënshtetësi kanë ditur të shfrytëzojnë mundësinë, pa pasur shumë probleme me burokracitë.