Vengu në Elbasan vizit në batalionin e Emergjencave Civile: Investime strategjike për sigurinë dhe NATO-n

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me kryebashkiakun e Elbasanit, Gledjan Llatja, vizituan sot repartin e Batalionit të Emergjencave Civile në Mengël të Elbasanit, një strukturë me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe mbështetjen e komuniteteve në rast fatkeqësish natyrore.

Ky repart shërben si një pol sigurie për rajonin dhe si qendër formimi për forcat ushtarake në operacionet e emergjencave civile. Gjatë vitit të kaluar është përfunduar rekonstruksioni i plotë i godinës, përfshirë ambientet e shtabit, zyrat e komandës, klasat dhe kabinetet funksionale.

Ministri Vengu theksoi se Mengli është pjesë aktive e rrjetit kombëtar të bazave ushtarake me përdorim të dyfishtë, të cilat po fuqizohen me kapacitete të reja, personel dhe infrastrukturë moderne për t’u bërë sa më operacionale.

Projekti i zgjerimit parashikon ndërtimin e një kompleksi multifunksional që do të përfshijë godinë hotelerie me shërbime mbështetëse, ambiente për kompani operacionale, qendër stërvitore për emergjencat civile, depo logjistike, si dhe akses në rrjetin hekurudhor, me funksion edhe si pikë tranziti për trupat e NATO-s.

Në plan janë gjithashtu ndërtimi i një zone për uljen e helikopterëve, hapësira për akomodim me kontenierë dhe parqe fushore, poligon kërkim-shpëtimi për emergjencat civile, tunele stërvitore, ujëmbledhës dhe depo uji, si dhe ambiente rekreative për efektivët.

“Ajo që vlen për Elbasanin është se po zhvillojmë një rrjet bazash me përdorim të dyfishtë, ku shtojmë funksionalitete, sipërfaqe dhe forca. Në kuadër të rekrutimeve intensive, po rijetëzojmë reparte të vjetra që japin mbështetje jo vetëm për komponentin ushtarak, por edhe për emergjencat civile”, deklaroi Vengu, duke shtuar se rritja e kapaciteteve civile shkon paralelisht me forcimin e komponentit luftarak.

Ministri vuri theksin edhe te pozicionimi strategjik i Menglit në Korridorin VIII, i cili e bën këtë bazë kyçe për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s në lidhje me kapacitetet pritëse dhe dislokimet e forcave aleate.

Ai nënvizoi se korridori është testuar së fundmi përmes stërvitjeve të NATO-s dhe vendeve partnere, duke e konsideruar atë një korridor sigurie dhe logjistike me rëndësi të lartë.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me strukturat e emergjencave civile, veçanërisht gjatë sezonit të zjarreve.

Ai theksoi se falë masave parandaluese dhe punës paraprake, bashkia e Elbasanit dhe qarku në tërësi nuk janë përballur me probleme të përmbytjeve gjatë këtij viti.

Në përfundim, ministri Vengu falënderoi efektivët e repartit të Menglit për angazhimin e tyre të vazhdueshëm, duke theksuar se emergjencat civile janë kthyer në një sfidë të qëndrueshmërisë së infrastrukturës dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme dhe profesionale.

Ministri garantoi se investimet do të vijojnë, me qëllim përmirësimin e kushteve të akomodimit, ushqimit dhe mjeteve operacionale, duke e konsideruar Menglin një prioritet për vitin në vijim.