Vazhdojnë me intensitet punët publike në Ebasan. Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja së bashku me deputetët Taulant Balla, Evis Kushi e Arben Kamami inspektuan fillimin e punimeve të Depos së re të Ujësjellësit. Investimi përfshin rikonstruksionin e linjave kryesore, shtrimin e rrjetit të ri shpërndarës, ndërtimin e depos së re dhe një stacion pompimi të ri.
“Është viti i tretë radhazi që Qeveria Shqiptare vendos Elbasanin në prioritetet e veta të investimeve në ujësjellës, pasi ky ka qenë një problem i madh prej shumë vitesh.
Në dy vitet e kaluara kemi përfunduar disa prej lagjeve të Elbasanit dhe po vazhdojnë më tej që gjithë zona periferike e qytetit të ketë një furnizim normal me ujë të pijshëm.
Ky investim do të garantojë furnizimin me ujë me cilësi të këtyre banorëve, por edhe me orare furnizimi më të zgjatura.
Për ne është shumë i rëndësishëm realizimi me cilësi i këtij projekti dhe në këtë pikë s’ka asnjë tolerancë.”- tha Balla.
Kryetari i Bashkisë Z. Llatja ritheksoi se përmirësimi i shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm është prioritet për Bashkinë e Elbasanit dhe investimet do të vijojnë deri në furnizimin me ujë 24h të çdo banori.
Investimet në ujësjellës nuk janë të përqëndruara vetëm në qytet, por edhe në ato fshatra ku prej vitesh janë trashëguar problematika.