“Ultras Tigrat Verdh e Blu”, “adrenalina” e munguar e Stadiumeve të Superiores

NGA FATMIR POPJA
Mungesa e tifozërisë në tribunat e stadiumeve të Shqipërisë ka qenë e dukshme gjatë viteve të fundit dhe kjo dukuri ka dominuar edhe në stadiumet ku zhvilloheshin ndeshjet e Superiores.
Kriza e tifozërisë fatkeqësisht ka patur përmasa katastrofike gjë që e tregojnë statistikat e numrit mjaft të vogël të shitjes së biletave edhe në shumicën e ndeshjeve të cilësuara të rëndësishme, pasi për të tjerat për momentin as që mund të diskutohej. Gjithsesi në edicionin e ri futbollistik në Shqipëri shpresohet që të paktën në Kampionatin e Superiores të ketë më shumë tifozë sesa vitet e fundit.


Sinjalet e para mjaft të qarta të nxitjes së shtimit të pranisë më të madhe të tifozërisë në stadiumet shqiptare i kanë dhënë ” Ultras Tigrat Verdh e Blu”.
Ky grupin është nga më të mirë organizuarit dhe me numrin më të madh aktualisht në të gjithë Shqipërinë. Ky grupim ultras sipas të dhënave paraprake do të jetë i pa konkurueshëm nga grupimet e ultrasve të ekipeve të tjera.
Ky superioritet i tyre në numër në tribunat e stadiumeve shqiptare do duket që në ndeshjen e parë që A.F Elbasani do luajë në transfertë ndaj Skënderbeut në Korçë. Përgatitjet e “Ultras Tigrat Verdh e Blu” për të mbështetur masivisht ekipin e tyre të zemrës kanë filluar që gjatë kësaj fundjave.
Ata nëpërmjet rrjeteve sociale kanë paralajmëruar se prania e tyre do jetë jashtëzakonisht e madhe në çdo ndeshje , në çdo stadium ku do luajë A.F Elbasani . “E nisim në transfertë.Udhëtojmë drejt qytetit të Korçës masivisht për të përkrahur djemtë dhe ngjyrat e qytetit ” shkruajnë së fundit në rrjetin Fcb ” Ultras Tigrat Verdh e Blu”.Ata e kanë ndjekur dhe mbështetur fuqishëm gjatë tri viteve të fundit ekipin e qytetit të tyre si asnjë grupim tjetër.
Tashmë që A.F Elbasani është ngjitur në Superiore, numri i “Ultras Tigrat Verdh e Blu” ,natyrshëm që do shumëfishohet.Por në stadium këtij grupimi do tu shtohen së tepërmi edhe disa qindra e mijëra tifozë të zakonshëm. Madje ndryshe nga ndeshjet e tjera të kampionatit shqiptar , të paktën në “Elbasan Arena ” do ketë gjithmonë edhe një numër të konsiderueshëm femrash, pasi tradita në këtë qytet është krijuar prej shumë vitesh.
Kështu që Kampionati i Superiores 2024-2025 , ka fituar krahas A.F Elbasanit edhe ” Ultras Tigrat Verdh e Blu” që do injektojnë “adrenalinën” e munguar në tribunat e stadiumeve të Shqipërisë.
Koha do tregojë se A.F Elbasani dhe ” Ultras Tigrat Verdh e Blu” janë asete të çmuara të Superiores për të cilat ka patur nevojë Kampionati i Elitës së futbollit shqiptar.