Ulja e temperaturave, probleme me ngrohjen në shkollat e Elbasanit. Bashkia Elbasan sqaron…

Nisur nga temperaturat e ulëta të ditëve të fundit, vëmendja kryesore e Bashkisë së Elbasanit është drejtuar në institucionet arsimore për të mbajtur në monitorim ngohjen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave.
Fatmirësisht prej shumë vitesh tashmë, në Bashkinë e Elbasanit të gjitha kopshtet dhe çerdhet janë të pajisura me sisteme ngrohje, të cilat janë efiçente dhe funksionojnë normalisht.
Po ashtu, në të gjitha fshatrat ngrohja është e garantuar. Në ato shkolla ku mungojnë sistemet e ngrohjes, ngrohja bëhet me dru zjarri. Bashkia e Elbasanit ka kryer furnizimin me dru zjarri të shkollave që në muajin nëntor.
Përsa i përket qytetit, Bashkia e Elbasanit ka pajisur me sisteme ngrohje me pelet të gjitha shkollat të cilat janë rikonstruktuar totalisht.
Përveç sistemit të ngrohjes shkollat janë të pajisura dhe me sistemin kapot të efiçensës së energjisë duke garantuar ngrohtë në dimër dhe freskët në verë.
Përsa i përket shkollave të cilat ende nuk janë të pajisur me sisteme ngrohje, Bashkia e Elbasanit ka lejuar përdorimin e ngrohjeve alternative me energji elektrike, kostot e të cilave mbulohen nga bashkia. Kjo është një mënyrë provizore për të përballuar temperaturat e dimrit.
Rikonstruksionet totale të shkollave kanë një kosto të madhe dhe nisur nga kjo, Bashkia ka përcaktur prioritet e ndërhyrjeve në shkolla.
Kështu, për vitin 2020 është parashikuar të ndërhyhet në disa shkolla ku edhe gjendja fizike e godinave është më problematike.
Bashkia e Elbasanit është e angazhuar maksimalisht për të krijuar të gjitha kushtet e përshtatshme për mbarëvajtjen e mësimit në shkolla dhe mbi të gjitha për të garantuar shëndetin e fëmijëve.
Bashkia e Elbasan kërkon bashkëpunimin e të gjithë prindërve me sugjerimet, mendimet dhe ankesat e tyre për çdo problem në shkollë.