U ndalua nga policia në Elbasan, lihet i lirë vëllai i Durim Bamit!

Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, që të dy emra të njohur për drejtësinë, u ndalua mbrëmë nga policia e Elbasanit gjatë një kontrolli rutinë në qytet teksa ishte pasagjer në automjetin e drejtuar nga një vajzë. Burime policore bënë të ditur fillimisht se ndalimi lidhej me dyshimin se ai kishte thyer masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Në momentin e verifikimit, mësohet se Bami i kërkoi policisë të mos e vononte, duke pretenduar se ndodhej në gjendje hasmërie. Por, efektivët e Rrugores e shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për procedurat e mëtejshme, që çuan në arrestimin e tij, pasi në sistemin e brendshëm të bluve, Valter Bami rezultonte me masë arrest shtëpie si i dyshuar për vrasjen e Ramazan Sinos më 4 korrik 2023, ku akuzohej për armëmbajtje pa leje.

Ai u shoqërua gabimisht mbrëmjen e djeshme për disa orë në komisariat, teksa mendohej se kishte thyer arrestin e shtëpisë, ndërkohë që çështja ndaj tij ishte pushuar prej gati 8 muajsh dhe masa e sigurisë nuk ishte fshirë nga sistemi. Më pas u la i lirë.