Pas një ndeshjeje të luftuar dhe me ritëm të lartë ndaj Partizanit, ku çdo detaj bëri diferencën, një nga protagonistët absolutë ishte portieri i Elbasanit, Klevi Totoshi. Me disa pritje vendimtare gjatë gjithë takimit dhe siguri maksimale në katërkëndësh, ai arriti të mbajë portën të paprekur, duke u kthyer në pikën kyçe të suksesit të skuadrës së tij.
Performanca e tij nuk kaloi pa u vënë re, pasi në fund të sfidës u vlerësua me çmimin “Njeriu i Ndeshjes”, një shpërblim i merituar për kontributin e dhënë në këtë fitore të rëndësishme. Në përfundim të takimit, gardiani verdheblu foli për “Panorama Sport”, ku foli për emocionet e kësaj fitoreje, objektivat e skuadrës dhe formën e tij personale në këtë fazë të sezonit.
Si ndiheni pas kësaj fitoreje dhe vlerësimit si “Njeriu i Ndeshjes”?
Normalisht që ndihem shumë mirë, sepse ishte një fitore e rëndësishme në këto momente, duke parë edhe sesi shkoi loja. Më vjen mirë që u vlerësova, por rëndësi ka që të fitojë ekipi, ndaj jam dyfish i lumtur pas kësaj ndeshjeje.
Sa e rëndësishme është kjo fitore për objektivat e ekipit?
Kjo fitore na vlejti për të pretenduar deri në fund vendin e parë, duke qenë se tani pothuajse e kemi siguruar ‘Final 4’.
Çfarë ju kërkoi trajneri në pushimin e ndeshjes?
Në pushim trajneri na kërkoi që të luftonim fort për topin e dytë, të tregonim karakter në lojë dhe të ishim mirë në tranzicion, sepse kështu do të shënonim. Ashtu bëmë dhe në fund ia dolëm të marrim fitoren.
Çfarë prisni nga vazhdimi i sezonit?
Pres një vazhdimësi pozitive dhe me atë që treguam ndaj Partizanit besoj se na ndikoi mirë për të ardhmen.
A jeni në formën tuaj maksimale?
Nuk di të them nëse jam ende në formën maksimale, por një sportist ka nevojë gjithmonë për përmirësime dhe unë do të përpiqem gjithnjë që të jap më të mirën time dhe të ndihmoj skuadrën.
Kupë apo kampionat, çfarë fiton Elbasani në fund?
Të dyja (qesh). Ne kemi për detyrë të luajmë fort çdo ndeshje që na ka mbetur, ky është fokusi ynë për momentin. Kur të vijë puna për të luajtur ndeshjen e fundit për titull apo për kupë, atëherë normalisht do të flasim për këtë pjesë. Tani, fokusi ynë është gjithnjë ndeshja e radhës.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.