Saturday , July 19 2025

Trishtim në Elbasan – Dy Fëmijë Humbin Jetën në Shkumbin, Reagon Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e Elbasanit ditën e djeshme, ku dy fëmijë të moshës 7 dhe 9 vjeç humbën jetën teksa po laheshin në lumin Shkumbin, në fshatin Labinot-Fushë.

Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar (QBNF) e cila ka shprehur dhimbjen më të thellë dhe solidaritetin me familjet e të miturve që u ndänë nga jeta në mënyrë tragjike.

“Kjo ngjarje na ka tronditur të gjithëve dhe na kujton edhe njëherë sa e rëndësishme është të rrisim kujdesin dhe sigurinë për fëmijët tanë, veçanërisht në zonat rurale dhe pranë ujërave gjatë stinës së verës,” – thuhet në deklaratën e QBNF.

Qendra nënvizon se fëmijët janë më të çmuarit tanë dhe çdo humbje e tyre është një plagë e thellë për gjithë shoqërinë. Në këto momente zie, lutjet dhe mendimet janë pranë familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit që është përfshirë nga dhimbja.

“Zoti i mëshirshëm u dhashtë forcë dhe durim!” – përfundon mesazhi i ngushëllimit.