Tri vjedhje në 4 ditë, arrestohet autori në Elbasan, dështoi në tentativën e fundit

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një 33-vjeçar, i cili dyshohet të jetë autor i 3 vjedhjeve në 4 ditë, ndërsa ka mbetur në flagrancë tentativa e fundit në një dyqan.

Policia bën të ditur se në pranga është vënë shtetasi E. B., 33 vjeç, banues në Elbasan.

“Si rezultat i provave të siguruara gjatë hetimit, zbardhen 3 raste të vjedhjes në banesa dhe 1 rast i tentativës për vjedhje.

Vihet në pranga autori i dyshuar, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes së pronës.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”, kapën dhe ndaluan shtetasin:

E. B., 33 vjeç, banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 33-vjeçari është autor i 3 rasteve të vjedhjes në banesa konkretisht:

-më datë 05.12.2024 ka vjedhur bizhuteri në banesën e shtetasit D. V.;

-më datë 03.12.2024 ka vjedhur bizhuteri në banesën e shtetasit E. D.;

-më datë 07.12.2024 ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në banesën e shtetasit F. K..

Gjithashtu, 33-vjeçari ka tentuar të vjedhë në dyqanin ushqimor në pronësi të një shtetaseje, në lagjen “Skënderbej”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.