Tri starte identike, Elbasani “shtron” rrugën e… titullit

Ekipi i AF Elbasanit duket se është krijuar për të bërë histori në futbollin shqiptar, ose të paktën kështu pretendohet dhe thonë shifrat. Në harkun kohor të tri viteve, verdheblutë thyen çdo tabu dhe ngjitën një nga një të gjitha shkallët për të qenë sot në elitën e futbollit shqiptar.

Kjo gjë është arritur duke bërë investime sezon pas sezoni dhe në fund duket se koha u ka dhënë të drejtë drejtuesve. Pasi u shpallën kampionë në të Tretën, në të Dytën kampionë të grupit dhe sërish kampionë në të Parën, duket se verdheblutë po shtrojnë rrugën që këtë sukses ta përsërisin sa herë ngjisin një shkallë.

STARTI IDENTIK – Thuhet shpesh që starti është një tregues për ecurinë që mund të ketë një klub në një kampionat. Këtë sezon, edhe pse bëhet fjalë për një Elbasan të ri në lojtarë dhe staf të trajnerëve, duket se vijon me “zakonin” e vjetër. Thuhet kështu, pasi duket se verdheblutë janë “abonuar” me të njëjtin start të kampionatit në tri sezonet e fundit, duke llogaritur Kategorinë e Dytë, të Parën dhe tani Superioren. Më konkretisht, në dy javët e para të këtij sezoni, elbasanasit kanë koleksionuar një barazim dhe një fitore, në total katër pikë.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kategorinë e Parë dhe të Dytë, ku pas dy javëve të para kishin po të njëjtat rezultate, me barazim në ndeshjen jashtë fushe dhe fitore në shtëpinë e tyre. Në të dyja rastet e edicioneve të kaluara verdheblutë kanë dalë kampionë pas këtyre rezultateve, prandaj mbetet për t’u parë nëse në fund të këtij sezoni do të ripërsërisin atë që bënë vitet e kaluara.

Më konkretisht, në tri ndeshjet e para jashtë fushe, ekipi i Elbasanit ka marrë rezultatin 1 me 1, me Pogradecin, Kastriotin dhe Skënderbeun, për të fituar më pas në shtëpi, respektivisht 2-0 me Luftëtarin, 3-2 me Vorën dhe në fund në elitë në shifrat 3-0 përballë Teutës.

OPTIMIZMI – Ndonëse në klub, si drejtuesit, stafi apo lojtarët përpiqen të jenë me këmbë në tokë në deklaratat e tyre, pasi bëhet fjalë vetëm për startin e kampionatit, dy ndeshjet e para janë një tregues se verdhebluve nuk u mungon potenciali.

Këto rezultate kanë rritur së tepërmi optimizmin se në fund skuadra nuk do të dalë pa gjë dhe objektivi minimal për pjesëmarrjen në Europë në fund të arrihet. Nëse starti identik i këtij sezoni do të pasohet me të njëjtat rezultate edhe në vijim me ato të dy viteve të fundit në kategoritë më inferiore, atëherë edhe shanset për të arritur objektivat janë të mëdha.

GOLAT – Në dy ndeshje, verdheblutë kanë realizuar katër gola, duke qenë sulmi më i mirë i kampionatit. Por, ajo që bie në sy është se rrjetat nuk janë shënuar nga sulmuesit, por kanë ardhur nga lojtarët e difensivës. Të parin e shënoi Bruno Lulaj në Korçë, më pas Kristian Dros, Ardit Hila dhe Arsen Kasa me Teutën. Kundër Dinamos, shpresohet te zhbllokimi i sulmuesve, edhe pse kur skuadra shënon dhe fiton, nuk ka shumë rëndësi se kush e shtyn në fund topin në rrjetë.

VLADIMIR MEMA