Transferimi i parë, Elbasani prezanton një nga mbrojtësit më cilësorë në Lituani

Elbasani ka prezantuar Sigitas Olberkis, ndërsa “Panorama Sport” kishte njoftuar ekskluzivisht për këtë lëvizje.

Sigitas Olberkis do të vijë nga kampionati lituanez në Elbasan. Dy sezonet e fundit ai ka qenë pjesë e skuadrës së FA Siauliai, që militon mes më të mirëve të këtij kampionati. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës potent, duke parë karakteristikat e tij, 184 cm i gjatë.

Lojtari 27-vjeçar, përveç kampionatit të vendit të tij, ka provuar edhe futbollin suedez, irlandez, bjellorus etj., ku ka pasur thuajse gjithnjë rol protagonist. Vlen të theksohet se është pjesë e kombëtares së Lituanisë, ku shihet si një ndër futbollistët më cilësorë në vendin e tij.

Sipas përditësimit më të fundit, vlera e tij në treg është 450 mijë euro, duke e bërë kështu një nga lojtarët më të vlefshëm të Elbasanit, por edhe kampionatit shqiptar. Olberkis pritet të përbëjë dyshen e qendrës së mbrojtjes me Bruno Lulajn, duke mbyllur “gropën” në këtë repart për verdheblutë, të cilëve në gjysmën e parë të sezonit u është dashur të bëjnë shpesh eksperimente.