Thursday , April 24 2025

“Trajneri e meriton të qëndrojë përtej këtij sezoni”, Merxha: Me Partizanin duhet kujdes, Elbasani në Europë!

Elbasani shpreson që ta çojë deri në fund përmbysjen ndaj Partizanit, ku mjafton që këtë të diel në “Arenën e Demave” të mos munden. Të shumtë ishin skeptikët në fillim të edicionit kur drejtuesit dolën hapur për të tentuar “Final 4”, por sot janë vetëm 90 minuta larg këtij objektivi. Skeptik ka qenë edhe ish-futbollisti Eriol Merxha, por tani ka ndryshuar mendim për këtë klub dhe atë se çfarë mund të arrijë në fund të edicionit. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Merxha thekson se meritë për këtë situatë pozitive ka Gvozdenoviç për qetësinë që riktheu në skuadër.

“Kishim kohë që e prisnim këtë situatë, ndonëse në fillim të sezonit edhe unë isha skeptik për të arritur deri tek ‘Final 4’, duke llogaritur që jemi ekip i ri në Superiore që do kohën e vet. Ekipi në fazën e dytë po përgjigjet mirë, edhe falë qetësisë që i ka dhënë trajneri. Edhe djemtë u harmonizuan me njëri – tjetrin, plus ndihmës së tifozërisë që nuk e kanë lënë asnjëherë ekipin në baltë edhe në ditë të vështira. Ne jemi një nga ekipet më korrekte dhe kjo falë presidencës, ku dihet që korrektësia është vendimtare në shumë raste”, u shpreh fillimisht ish-trajneri elbasanas.

PARTIZANI – Merxha u ndal më tej edhe te dueli direkt me Partizanin, duke dhënë edhe këshillën e tij për futbollistët e Elbasanit.

“Me Partizanin dihet që është një ndeshje e fortë, sepse kundërshtari ka eksperiencë. Megjithatë, Elbasani duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të ecë siç ka vazhduar këto ndeshjet e fundit. Sportistët i këshilloj të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë këtë ndjenjë që kanë për fanellën, siç kanë bërë deri më tani. Është vetëm një ndeshje dhe besoj se do të dinë t’ia dalin me sukses, duke ditur që vijnë edhe me një moral më të mirë dhe pa presion mbi supe”, vijoi më tej Eriol Merxha.

TRAJNERI – Me mbylljen e kampionatit, hapet edhe një temë tjetër që duhet zgjidhur, trajneri. Gvozdenoviçit i mbaron kontrata në fund të sezonit, ndërsa Merxha pohon se projekti duhet të vazhdojë edhe për sezonin e ardhshëm.

“Presidenca ka treguar se beson shumë te stafi që zgjedh dhe sipas meje trajneri e meriton të qëndrojë përtej këtij sezoni, edhe për të treguar vlerat që ka, duke parë se sa mirë ka bërë këto ndeshjet e fundit. Edhe nëse nuk arrihet katërshja, sezoni është i arrirë, sepse treguam se jemi njëlloj me ekipet pretendente që sezonin e parë. Vitin tjetër më pas, mendoj që do ta shohim më lart sesa ky që po lëmë pas. Por gjithsesi, nëse arrijmë në katërshe, pse të mos shohim për më lart, sepse gjithçka mund të ndodhë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Eriol Merxha.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL