Lajmi për vdekjen e aktorit të njohur shqiptato grek, Panos Natsis (Panajot Naçi) në moshën vetëm 31-vjeçare pas një aksidenti automobilistik ra si rrufe.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e para të së shtunës (29/1), teksa motori i tij është përplasur me një kamion në kryqëzimin e rrugëve Deligiorgi dhe Kerameikou.
Naçi, para aksidentit fatal automobilistik ka kaluar momente të bukura me kolegët, teksa ka qenë në një festë për ditëlindjen e koleges së tij, Alexandra Tavoulari, të cilën e kishte organizuar vetë.
Panajot Naçi ishte ndër aktorët më të njohur në shumë seriale televizive dhe rolesh në teatër, nga më të suksesshmit në Greqi. Jo vetëm për familjarët e rrethin shoqëror e miqësor, por humbje e madhe është edhe për artin shqiptar.
Panajot Naçi asnjëherë nuk e mohoi origjinën e tij, vendit ku u lind dhe u rrit.
Ai rridhte nga një familje me tradita nga Himara, bir i një të dënuari politik në burgjet e diktaturës gjatë regjimit komunist.
Panajot Naçi lindi në Tiranë në prag të agut të demokracisë. Familja më pas u zhvendos në Greqi ku ai ndërtoi një karrierë të shkëlqyer duke arritur në qarqet më të larta artistike të Athinës dhe e konsideronte veten “Himarioti-shqiptar prej brezash”.
“Lamtumire Panajot i dashur, nipi im i rralle artist, djali i vetem i motres time te vetme, Zana. “Peu keputet aty ku eshte me i holli” mbetet thenia qe te therr keqas. Dhembje do te kemi ne shpirt per ty sa jeta. U prehsh ne paqe!”, shkruan daja i tij, muzikanti Gazment Mullahi.