Pasi kaluan ndërrimin e viteve në jug-lindje të vendit, kryesisht në Korçë dhe Pogradec, qindra shqiptarë të dielën u rikthyen sërish në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Për shkak të punimeve, pjesa e rrugës pranë Librazhdit krijonte radhë kilometrike e pritje të gjata në trafik. Pas këtij segmenti, zona e Bradasheshit, në hyrje të autostradës Elbasan-Tiranë, ishte tortura e radhës.
Pamjet me dron që përcjell Report Tv, të xhiruara mbrëmjen e së dielës, tregojnë se problemi është i njëjtë si në vajtje, ashtu edhe në ardhje. Për ekspertin e sigurisë rrugore, Arben Luzi, problemi mbetet te rrethrrotullimi në Bradashesh, tek i cili duhet investuar.
“Duhen nënkalime apo mbikalime sepse ne i bëjmë rrugët shkojmë deri këtu për tre minuta dhe pastaj presim”, tha eksperti i sigurisë rrugore.
Në Tiranë, mëngjesi i së hënës, kur të gjithë iu rikthyen rutinës, rivendosi radhët kilometrike në akset tradicionale ku trafiku barazohet me makthin. Droni shfaq Unazën e Re në Astir, e cila nga mbikalimi i fabrikës së miellit deri te ish-sheshi “Shqiponja” ishte i rënduar në dalje.
Situata me vargun kilometrik edhe te Kthesa e Kamzës në hyrje dhe mbikalimi me drejtim në autostradën Tiranë- Durrës. Tirana kaotike prej trafikut ishte edhe brenda Unazës së Madhe, duke krijuar po ashtu pritje të gjatë dhe nerva të shtuara për drejtuesit e mjeteve.
Trafikut të kryeqytetit, Luzi ia vë fajin disa komponentëve, nga shoferët e ngathët që vonohen në semafor, deri të daljet problematike në zona të caktuara.
“Ne të gjithë fluksin e kemi futur në rrethrotullim. Edhe atë që do kthehet djathtas e kemi futur në rrethrotullim. Po dhe ai të pengon krahun. Kurse kur del me degëzim ose me nënkalim, atëherë ai nuk bëhet pengesë për mjetet që lëvizin brenda rreth rrotullimit. Ai vazhdon në anën tjetër”, tha Luzi.
Një problem që vërehet nëpër Tiranë janë semaforët e shpeshtë jeshil që ndizen në të njëjtën kohë për makinat që shkojnë djathtas dhe për kalimtarët. Luzi thotë se është standard botëror, por në Shqipëri janë shumë të shpeshtë dhe shfaqen problematik./Shqiptarja.com
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.