“Tinguj zemre” në Elbasan, protagonistë të koncertit ishin të rinj me aftësi ndryshe

Në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan u prezantua  koncerti “Tinguj Zemre -Ne nuk jemi ndryshe”, ku protagonistë ishin të rinj me aftësi ndryshe.

Mbrëmja i kushtohej fuqizimit, përfshirjes dhe forcës shëruese të artit, ndërsa të rinjtë, pavarësisht sfidave që u ka sjellë jeta, sollën përpara publikut talentin, gëzimin dhe potencialin e tyre të jashtëzakonshëm.

Koncerti u shndërrua në një thirrje të qetë, por të fuqishme, për më shumë dashuri, solidaritet dhe pranueshmëri në komunitet.

Artistët e rinj shpalosën talentin e tyre si solistë dhe si pjesë e korit. Në skenë performuan Diego Zelka, Eriona Gjyzeli, Neron Kacerja dhe Luan Qosja, të cilët interpretuan një repertor të pasur me këngë shqiptare dhe të huaja, si në formatin solo, ashtu edhe në ansambël.

Ky koncert erdhi si bashkëpunim i Këshillit të Qarkut Elbasan, dhe Qendrës “Art-Act-Al”, duke sjellë një aktivitet që promovon artin, diversitetin dhe fuqinë e bashkimit përmes muzikës./vizionplus.tv