Tërbuni i Pukës ka arritur akordin me trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm, teksa stolin do ta marrë Anxhelo Suta. Të paktën këtë konfirmojnë ekskluzivisht për “Panorama Sport” burimet mes palëve.
Me një përvojë të konsiderueshme në futbollin shqiptar, Suta do të ketë detyrën për të rikthyer ekipin në një kampionat gjithnjë e më konkurrues si Kategoria e Parë.
Trajneri 41-vjeçar ka drejtuar më parë disa skuadra si Elbasani, Shkumbini, Gramshi dhe Luzi 2008, duke treguar një profil të qartë të ndërtimit të ekipeve me baza solide dhe zhvillimit të talenteve të rinj. Puna e tij ka marrë vlerësime të mira, veçanërisht për qasjen taktike dhe disiplinën që i jep skuadrave.
Klubi i Tërbunit ka besim se me Anxhelo Sutën në krye, skuadra do të ketë vazhdimësi dhe stabilitet, ndërsa objektivat janë të qarta: ndërtimi i një ekipi konkurrues dhe lufta për rezultatet maksimale në çdo javë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL