Monday , June 2 2025

Temperaturat globale mund të kalojnë rekordet e nxehtësisë brenda 5 viteve

Organizata Botërore e Meteorologjisë paralajmëron se brenda 5 viteve të ardhshme, temperaturat globale do të thyejnë rekorde të tjera nxehtësie.

Sipas një raporti të OBM, ka 80% shanse që ky fenomen të ndodhë, duke rritur kështu ndjeshëm rrezikun për përmbytje ekstreme, thatësira dhe zjarre në pyje.

Për herë të parë, shkencëtarët shprehen se ekziston një gjasë, sado e vogël, që para vitit 2030, bota të përjetojë një vit me temperatura 2°C më të larta se niveli paraindustrial. Ky skenar, që dikur konsiderohej i pamundur, tani cilësohet si “shqetësues dhe tronditës”.

Raporti thekson gjithashtu se ka 70% gjasa që temperatura mesatare globale për periudhën 2025–2029 të kalojë 1.5°C mbi nivelin paraindustrial; ka 86% gjasa që kjo shifër të tejkalohet të paktën një herë gjatë pesë viteve të ardhshme.

Viti 2024 ka qenë më i nxehti në historinë e matjeve klimatike prej 175 vitesh, dhe pritet të jetë 1 nga 3 vitet më të nxehtë të regjistruar.

“Pamja që shfaq ky raport është alarmante, por nuk është e pashpresë”, tha Chris Hewitt, drejtor i shërbimeve klimatike në OBM.

“Ne duhet të marrim masa urgjente për të reduktuar emetimet nga karburantet fosile. Rritja prej 1.5°C nuk është e pashmangshme”.

Raporti i Organizatës Botërore të Meteorologjisë është një këmbanë alarmi që qeveritë të veprojnë dhe të marrin masa.

/tvklan.al