Tek Elbasani me objektiv të qartë, trajneri Gvozdenoviç: Duam Europën, barazimet nuk na shqetësojnë

Elbasani luan ndaj Teutës si kryesues i kampionatit, në një moment kur skuadra kërkon të ruajë qetësinë dhe balancën në performancë. Para këtij dueli, trajneri Ivan Gvozdenoviç thekson se grupi është në gjendje të mirë dhe se përgatitjet kanë vijuar normalisht, pa rënë në eufori pavarësisht pozicionit në renditje. Dy barazimet e fundit nuk kanë sjellë shqetësim të veçantë brenda ekipit, edhe pse verdheblutë kanë ambicien të fitojnë çdo ndeshje.

Gvozdenoviç vlerëson kundërshtarët e fundit dhe nënvizon se pikat e marra kundër skuadrave të forta si Dinamo dhe Partizani janë të rëndësishme, duke shtuar se ekipi i tij mbetet i orientuar drejt qëndrueshmërisë dhe lojës së bukur. Ndërkohë, përballja me Teutën vjen në një periudhë të mirë për durrsakët, gjë që e bën sfidën edhe më sfiduese. Megjithatë, trajneri i Elbasanit shfaq besim te cilësitë dhe pjekuria e ekipit, duke theksuar se motivi kryesor mbetet dhënia e maksimumit në fushë dhe kërkimi i një rezultati pozitiv, pa u ndikuar nga statistikat e së kaluarës.

Si vjen skuadra para duelit me Teutën? Si gjithnjë, mund të them se jemi në rregull dhe çdo gjë është gati. Do të kryejmë edhe stërvitjen e fundit për të vendosur përfundimisht, së bashku me stafin, për të gjitha detajet.

Dy barazimet e fundit e kanë ndalur paksa vrullin apo nuk shqetësoheni? Jo, jo. Edhe pse ne jemi Elbasani dhe kërkojmë gjithnjë të fitojmë në çdo ndeshje. Dy ndeshjet e fundit kanë qenë përballë Dinamos jashtë, një skuadër shumë e mirë dhe shumë e fortë dhe më pas me Partizanin në shtëpi, sërish një ndeshje po kaq e fortë. E përsëris: ne kërkojmë gjithnjë fitoren, edhe kundër Dinamos apo Partizanit e kërkuam. Çdo pikë ka vlerë, edhe pse nuk mund të them se jemi të kënaqur kur barazojmë, por e pranojmë situatën edhe kur nuk fitojmë.

Me Teutën Elbasani njeh vetëm rezultate pozitive. Sa ndikon kjo nga ana morale? Moralisht, ne dihet që jemi gjithnjë gati për të luftuar për maksimumin. Nesër (sot) luajmë kundër një kundërshtari shumë të fortë dhe në formë gjatë dy javëve të fundit. Por çdo javë është interesante dhe e vështirë. Ne do të luftojmë fort në fushë, do të japim maksimumin dhe të marrim një rezultat pozitiv për ne.

Është më mirë tani që jeni në krye dhe ju ndjekin të tjerët, apo kur jeni ju në ndjekje? Nga ana psikologjike ku është presioni më i madh? Për mua është njëlloj. Çdo vit Elbasani ka një motiv të madh. Ne do të provojmë të shkojmë në Europë dhe të qëndrojmë sa më lart në tabelë. Presion ka, është normale, sepse duam të marrim më të mirën, por këtë vit jemi pak më të pjekur dhe dimë ta menaxhojmë presionin.

Barazimi do t’ju kënaqte duke qenë se luani ndaj një kundërshtari me potencial? Asnjëherë nuk them para ndeshjes nëse më kënaq barazimi apo fitorja. Më mirë flitet pas ndeshjes. E theksoj: ne do të provojmë maksimumin dhe do të luajmë futboll të bukur si gjithnjë. Do të mundohemi ta fitojmë ndeshjen; me këtë motiv hyn gjithnjë Elbasani.

Tsague kthehet në formacion

Elbasani pritet të zbresë në fushë ndaj Teutës me të njëjtin formacion që ka përdorur në javët e fundit, pasi trajneri Ivan Gvozdenoviç nuk sheh arsye për ndryshime në një skuadër që ka ruajtur stabilitet dhe ekuilibër në lojë. Verdheblutë kanë gjetur një strukturë funksionale që ka dhënë ritëm dhe siguri, ndaj edhe para kësaj sfide të rëndësishme, ideja është të ruhet vazhdimësia. Sulmuesi Blaise Tsague pritet të rikthehet si titullar pas mungesës me Partizanin. Sa i përket formacionit, pritet që Elbasani të rreshtohet me Janaçek në portë, ndërsa në mbrojtje dy krahët do të mbahen nga Lila dhe Musta, me Lulajn dhe Olberkis në qendër të prapavijës. Në mesin e fushës, Manellari dhe Ibrahim formojnë dyshe solide në qendër, ndërsa nga krahët do të operojnë Diallo dhe Loukili. Pas sulmuesit të vetëm, Tsague, Gvozdenoviç do të vendosë Qosen.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL