Sunday , August 17 2025

 Teatri i kukullave, “Elefanti që donte të fluturonte” emocionon fëmijët në parkun Rinia

Elbasani vijon të jetë një qendër e gjallë kulturore edhe gjatë muajve të verës, falë aktiviteteve të shumta artistike për fëmijë që po organizohen nga Bashkia Elbasan dhe institucione të tjera kulturore të qytetit. Në kuadër të një kalendari të detajuar që shtrihet gjatë gjithë muajit gusht, të enjten pasdite, aktorët e talentuar të Teatrit të Kukullave “Skampa” sollën premierën e re të titulluar: “Elefanti që donte të fluturonte”, një shfaqje plot ngjyra dhe emocione e vënë në skenë nga regjisori i njohur Hysen Mullajonuzi.

Shfaqja u zhvillua në një nga lulishtet më të frekuentuara të qytetit, duke e kthyer natyrën në skenë të hapur për artin dhe imagjinatën. Fëmijë të shumtë, të shoqëruar nga prindërit e tyre, ndoqën me kureshtje dhe emocion aventurën e elefantit të vogël, që përmes natës dhe ëndrrave të tij, kërkon të fluturojë, një metaforë e ëmbël për dëshirat e pafajshme të fëmijërisë.

Personazhi i elefantit zemërmirë, i trazuar nga mendimet e tij të errëta, simbolizon pasiguritë që fëmijët përjetojnë në mënyrën e tyre të veçantë. Ndihma vjen nga Pata Terezina, një mike besnike që i mëson atij se lumturia nuk vjen nga fluturimi fizik, por nga gjetja e paqes dhe dashurisë së brendshme.

Ky aktivitet është vetëm një nga shumë të tjera që pritet të zhvillohen përgjatë gushtit në qytetin e Elbasanit, si pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm për të ofruar kulturë dhe edukim për më të vegjlit tanë. Përmes artit, këta fëmijë mësojnë të njohin emocionet, të ëndërrojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme më të ndjeshme dhe më të bukur.