Para duelit të sotëm me Tiranën, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka folur për motivimin e skuadrës dhe për pritshmëritë e tij nga një ndeshje gjithmonë e veçantë. Në intervistën enkas për “Panorama Sport”, ai ka theksuar se ndeshja mes Elbasanit dhe Tiranës ka gjithmonë një motivim të veçantë, pasi përtej renditjes në tabelë, loja mbart edhe rivalitet historik dhe emocion të madh për tifozët.
Gvozdenoviç thekson se skuadra e tij vjen e përqendruar dhe e qetë pas fitores së fundit ndaj Bylisit, ndërsa, çdo derbi kërkon maksimalisht përqendrim dhe disiplinë, pavarësisht krizës ose formës së kundërshtarit. Trajneri ka analizuar mirë lojën e Tiranës dhe pikat e forta dhe të dobëta të saj, ndërsa thekson se skuadra e tij është gati për një ndeshje të fortë dhe të ekuilibruar. Ai shprehet i qetë edhe për faktin që sulmuesit e tij ende nuk kanë gjetur rrugën e golit, duke vënë theksin tek sakrifica dhe puna e tyre për skuadrën.
Si vjen Elbasani para kësaj ndeshjeje? Normalisht që jemi shumë të motivuar, pasi ndeshjet me Elbasanin dhe Tiranën janë derbi. Gjithmonë jemi të motivuar para çdo ndeshjeje, jo vetëm ndaj Tiranës. Pas fitores me Bylisin, jemi rikthyer te fitoret dhe jemi më të qetë. Për Tiranën kemi shumë respekt si skuadër dhe klub, për traditën që ka, por edhe ne jemi Elbasani. Mund të them që do të jetë një ndeshje shumë e fortë, si gjithmonë.
Tirana është në krizë për pikët, mund t’ju vështirësojë kjo situatë? Nuk ka rëndësi tabela apo mënyra sesi vjen para kësaj ndeshjeje. Gjithmonë kur kemi derbi, është e vështirë, sepse ka një tjetër motiv dhe nuk ka avantazh apo disavantazh sa i përket formës apo renditjes. Në çdo situatë, vështirësia është gjithmonë e njëjtë.
Bordin e njeh pak Elbasanin, a përbën një avantazh të lehtë për kundërshtarin? Realisht nuk e di çfarë të them, ndoshta Bordin e di më mirë. Është e vërtetë që një pjesë e lojtarëve i ka trajnuar vetë, por ka edhe disa të rinj që kanë ardhur më pas.
E keni analizuar lojën e Tiranës dhe cila janë pikat e tyre më të forta apo të dobëta? Ashtu si ne, edhe ata kanë bërë analizë. Ne jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. Unë bashkë me stafin i dimë pikat e forta të tyre, sepse Tirana ka shumë pika të forta, po ashtu edhe të dobëta, si të gjitha skuadrat. Ne jemi gati, pastaj do të flasim më shumë pas ndeshjes.
Asnjë nga sulmuesit “pykë” tuaj nuk ka shënuar deri tani, jeni të shqetësuar apo prisni më shumë nga ta? Jo, jo. E them këtë sepse nuk shoh vetëm golat, por edhe sakrificën që bëjnë për skuadrën. Ata e kanë bërë deri më tani dhe kam besim se edhe golat do të vijnë. Rëndësi ka puna që bëjnë për skuadrën dhe nuk kam asnjë problem në këtë aspekt.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.