Presidenti Ilir Meta ka nxjerrë disa detaje nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare duke theksuar se mbështesin prokurorinë që të gjejë përgjegjësit për dëmet dhe viktimat e shkaktuara nga tërmeti.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës”, shkruan Meta në Facebook.
Pak më parë u zhvillua mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku të pranishëm ishin kreu i shtetit, Ilir Meta, Kryeministri Rama, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ministrat, etj.
Postimi i plotë i Presidentit Meta
Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës.
Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm.