Në lidhje me pretendimet e drejtuesve të mjeteve taksi 4+1, Drejtoresha e Planifikimit të Zhvillimit Ekonomik dhe Transportit në Bashkinë e Elbasanit, Alba Canaj sqaron:
“Në rastin e kërkesave që paraqesin operatorët e sistemit të transportit të taksive 4+1, me gjithë qasjen tonë dhe takimet e diskutimet që kemi pasur edhe më herët, organizimi dhe procedurat me të cilat bashkia operon, të paktën sa u përket vendqëndrimeve janë të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak.
Në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak të janarit të vitit 2020 janë përcaktuar në total 94 vende qëndrimi për taksi 4+1, që do të thotë kemi më shumë vende qëndrimi se taksi të licensuara.
Mjete taksi 4+1 me karburant apo flota elektrike janë më pak në nr. se vendet e qëndrimit të përcaktuara për to në qytetin e Elbasanit.
Kjo nuk sjell konflikt brenda llojit. Mund të kishim problematika vetëm nëse nuk do të kishim vendqëndrime të mjaftueshme.
Nga ana tjetër përsa i përket konkurencës së pandershme, bashkia e Elbasanit bashkëpunon me Policinë Bashkiake dhe atë të Rrugore për të moslejuar taksitë e paligjshme.
Pikërisht kjo është një problematikë që e pengon konkurencën pasi një person që nuk paguan taksa pengon një operator të rregullt. Problematika kemi hasur me zonën e Bradasheshit dhe disa herë subjektet e paligjshme që operojnë në këtë linjë paligjshmërisht janë ndëshkuar.
Sa i përket vendqëndrimeve të dedikuara që operatorët taksi 4+1 pretendojnë, baza ligjore sa i përket transportit rrugor nuk kanë një pikë të tyre për të orientuar që një operator ka një vendqëndrimi të specifikuar të tijin në qytet.
Kjo lidhet me mënyrën e organizimit. Taksia është mjet në lëvizje që ofron një shërbim, jo në një pozicion fiks. Pra operatori taksi 4+1 nuk ka një vend specifik të tijin, por në çdo vend ku ka sinjalistikë për vendeqëndrim taksi të rezervuar mund të qëndrojë, natyrisht duke respektuar radhën e mjeteve të tjera taksi që aktualisht mund të ndodhen aty.
Pra, pretendimi për dedikim vendqëndrimi nuk qëndron se nuk ka asnjë bazë ligjore.
Po ashtu dua të informoj se së fundmi bashkia ka një marrëveshje me Spitalin Rajonal të Elbasnait për të krijuar 5 vendeqëndrimi taksi brenda territorit të spitalit, ç’ka do të thotë se rritet nr. i vendqëndrimeve në Elbasan për taksitë 4+1.”
![](https://i0.wp.com/elbasaniplus.com/wp-content/uploads/2025/01/3f101ccd-f932-451c-8d62-c6ff6a45338e.jpg?resize=618%2C824&ssl=1)