Taksistët e Elbasanit në protestë: Konkurenca e pandershme po na falimenton

Dhjetëra taksistë që operojnë prej vitesh në qytetin e Elbasanit janë ngritur në protestë. Ata kundërshtojnë konkurencën e pandershme që u bëhet nga taksitë elektrike.

Ata tregojnë se janë në prag falimentimi, pasi taksitë elektrike ofrojnë çmim më të ulët. Taksistët tradicionalë kërkojnë që Policia Bashkiake dhe ajo rrugore të marrin masa për të respektuar vendqëndrimet e taksive të licencuara.

“Këta na qendrojnë tek vendet aktuale që ne bëjmë shërbim prej vitesh, plus jemi me status në këtë vendqendrimi. Nuk jemi pa adresë. Nuk jemi kundra shërbimit elektrik se edhe unë neser mund ta ndryshoj mjetin siç e kërkon koha që duhen makina pa ndotje. Por problemi është bashkia kur i liçenson këto duhet ti caktojë edhe vendet siç i kanë qytetet e tjera”, thotë një taksist.

“Ne po na falimentojnë, punojnë pak nën kosto dhe këtë duhet ta themi. Jemi ankuar e nuk na japin zgjidhje. Tani ça presin të ndodhi konflikti që të vijnë, presim nga bashkia të reagoj, të japi zgjidhje”, thotë një takist tjetër.

“Të gjithë ne kemi të paktën nga 20 vjet që jemi taksixhi dhe kemi shumë problem nga  këto elektriket, nëpërmjet këtyre që janë pa liçensë. Nuk e di si do vejë, polici i turret mbrapa atij fshatarit me një tek pulë atje, dhe asnjëherë në botë si del një taksisti. Kthejeni kokën andej mbrapa, taksi që janë pa liçensë fare, ato po na konkurojnë të gjithve ne”, thotë një tjetër taksist.

Në Elbasan ushtrojnë aktivitetin e taksistit 70 persona të cilët paguajnë çdo detyrim që u’a kërkon ligji. Por me futjen e shërbimit të taksive elektrike, me një çmim disi më te ulet, bën që këta të fundit të ngelen pa punë.

“Ne punojmë me rradhë, kemi shumë vite, dhe arsyja e rradhës është të mos kemi probleme taksixhit me njëri-tjetrin. Dhe klienti është i vetëdijshëm, vete tek ai që ka rradhën, kurse ata nuk duan të punojnë as me rradhe”, thotë një taksist.

“Cfarë kërkojmë? Të mos na parkojnë tek vendi jonë i qendrimit ti japin të parkojnë ku të dojnë”, thotë një taksist tjetër.

Nëse kërkesat e tyre do të vijojnë të bien në vesh të shurdhët, taksistët lajmëruan se do t’i përshkallëzojnë protestat.

“Detyrimisht gjërat si po rrjedhin drejt asaj po shkojnë. Derisa në instancat kryesore ne kemi kerkuar çdo gjë e nuk po na ndihmojnë drejt asaj do vemë”, thotë një tjetër taksist.