Elbasani, ashtu si të gjitha ekipet e tjera, do të përpiqen që ta shfrytëzojnë këtë merkato vere për të përforcuar skuadrën. Deri më tani, janë lakuar shumë emra, por sigurisht që është herët për të dalë në konkluzione dhe bërë afrime zyrtare.
Gjithsesi, “blerjet” më të rëndësishme janë rikthimet pas dëmtimeve dhe njëri prej tyre është sulmuesi Arsen Lleshi. Këtë sezon ai arriti të shënojë vetëm shtatë gola në 14 ndeshje, me një mesatare prej 80 minutash për të shënuar, si askush në kampionatin shqiptar këtë sezon. Shpresat janë që sezoni i ardhshëm të kalojë pa dëmtime dhe golat deri diku mund të jenë të garantuar.
PRONONCIMI – Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi flet për dëmtimin e rëndë dhe pritshmëritë që ka për edicionin e ardhshëm. “Më vjen keq që u dëmtova pikërisht në momentin tim më të mirë dhe në kohën kur skuadra kishte më shumë nevojë. Megjithatë, pak e nga pak po e lë pas dëmtimin pas operacionit të kryer dhe për sezonin e ardhshëm do të jem plotësisht gati. Jam në fazë rikuperimi për momentin dhe mezi pres rikthimin me kohë të plotë dhe të jap kontributin tim për skuadrën”, u shpreh fillimisht sulmuesi i Elbasanit.
OBJEKTIVI – Në vijim, Arsen Lleshi ndalet pak edhe te sezoni i ardhshëm, ku ka besim se do të pretendojnë të arrijnë sa më lart. “Klubi e ka bërë të qartë se synojnë që të arrijnë sa më lart dhe të marrin pjesë në Europë vitin e ardhshëm. Përpos vështirësive që mund të ketë një ekip i sapongjitur, ne rivalizuam deri në fund për një vend në Europë, ndaj edhe këtë sezon do të kemi të njëjtat synime. Nuk do të jetë e lehtë, sepse janë shumë skuadra të forta dhe që kanë pretendime, por ne do të hyjmë në çdo ndeshje për të kërkuar vetëm maksimumin”, u shpreh më tej 25-vjeçari. GOLAT – Si sulmues, është e qartë se pasioni i tij janë golat, të cilat duket se i ka në “gjak”.
Të paktën, këtë thonë shifrat, duke pasur mesataren më të mirë në kampionatin shqiptar me gol për çdo 80 minuta në fushë. “Çdo sulmues dihet që jeton me golat dhe në çdo ndeshje përpiqem të shënoj. Herë ia dal dhe herë jo, ky është futbolli. Dua të përmirësohem nga viti në vit dhe kam besim se sezoni që vjen do të jetë më i mirë, ku normalisht shpresoj që të mos vuaj nga dëmtimet”, mbylli prononcimin e tij për gazetën sulmuesi i skuadrës së Elbasanit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL