Thursday , April 24 2025

Stuhia e fuqishme e breshërit godet fshatrat e Elbasanit, dëme të mëdha në bujqësi dhe pemëtari

Një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje intensive shiu dhe ka goditur pasditën e djeshme fshatrat Tregan dhe Bathës në Qarkun e Elbasanit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin bujqësor dhe pemëtarinë e zonës.

Sipas banorëve stuhia ka nisur papritur rreth mesditës dhe ka zgjatur për afro një orë duke lënë pas një panoramë të rëndë shkatërrimi në arat dhe fermat e shumta të zonës.

Breshëri me intensitet të lartë dhe madhësi të krahasueshme me kokrrat e lajthisë ka goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë kulturat e mbjella të pranverës si edhe pemët frutore që ndodhen në fazën e zhvillimit më të ndjeshëm.

Fshatrat Tregan dhe Bathës janë të njohura për kultivimin e ullirit, qershisë, portokallit dhe rrushit, kultura këto që përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për familjet fermere të zonës.

Fermerët janë shprehur të dëshpëruar nga dëmet e mëdha të shkaktuara.

Në shumë prej parcelave  me pemtari dhe vreshtari, gjethet dhe frutat janë dëmtuar ose janë shkulur tërësisht nga degët, ndërsa disa rrënjë janë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme.

Breshëri ka dëmtuar gjithashtu infrastrukturën bujqësore, përfshirë sistemet e ujitjes dhe rrjetet mbrojtëse të serrave.

Të tjerë fermerë shprehen se dëmet financiare janë të pallogaritshme për momentin, ndërkohë që kërkojnë ndihmë dhe ndërhyrje emergjente nga strukturat shtetërore për vlerësimin e dëmeve dhe mundësinë e kompensimit.

Stuhitë me breshër janë gjithnjë e më të shpeshta në këtë periudhë të vitit, por sipas banorëve  dhe specialistëve të bujqësisë, kjo ishte një nga më të fuqishmet e viteve të fundit./vizionplus.tv