Strategjitë kombëtare kundër terrorizmit në Evropën Juglindore/Dr. Ramkaj pjesë e tryezës virtuale të organizuar nga CTED

Dr. Arben Ramkaj mori pjesë sot si folës në tryezën virtuale të organizuar nga CTED. Në këtë takim u diskutua për angazhimin e shoqërisë civile në zhvillimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare gjithëpërfshirëse dhe të integruara kundër terrorizmit në Evropën Juglindore.

Diskutimet e të pranishmëve në këtë tryezë u përqendruan më së tepërmi në këto pika:

Deri në çfarë mase janë të vetëdijshëm aktorët e shoqërisë civile për strategjitë kombëtare kundër terrorizmit në vendet e tyre përkatëse?
Në çfarë mase përfshihen aktorët e shoqërisë civile në zhvillimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare kundër terrorizmit?
Deri në çfarë mase pajtohen aktorët e shoqërisë civile me vlerësimin e rrezikut të financimit të terrorizmit dhe terrorizmit që qëndron në themel të strategjive kombëtare të vendit të tyre kundër terrorizmit?
Cilat aspekte të përvojës së aktorëve të shoqërisë civile kanë qenë pozitive? Cilat kanë qenë sfidat?
Në çfarë mënyrash ndikohen aktorët e shoqërisë civile nga strategjitë e CT?

Tryeza kishte për qëllim informimin e diskutimeve në Brifingun e Hapur të Komitetit Kundër Terrorizmit mbi zbatimin e rezolutave të Këshillit nga shtetet anëtare të Evropës Juglindore dhe rekomandimet e Komitetit për vizitën, e cila do të mbahet në një fazë të mëvonshme këtë vit.

CTED (Drejtoria Ekzekutive e Komitetit Kundër Terrorizmit), është themeluar nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar punën e Komitetit Kundër Terrorizmit dhe për të bashkërenduar procesin e këqyrjes së zbatimit të rezolutës 1373.