Starton kursi “Sipërmarrja dhe plani i zhvillimit të biznesit” në Qendrën e Formimit Profesional Publik Elbasan. Të rinjtë interes të shtuar

Në ambientet e Qendrës së Formimit Profesional Publik Elbasan ka nisur kursi “Sipërmarrja dhe plani i zhvillimit të biznesit”, pjesë e Programit të Vetëpunësimit, që synon të mbështesë idetë e reja të biznesit dhe të nxisë punësimin përmes iniciativës personale.

Ky trajnim u ofron kursantëve njohuri praktike mbi përgatitjen e një plani zhvillimi biznesi, analizimin e tregut dhe konkurrencës, si dhe shndërrimin e ideve novatore në biznese të qëndrueshme.

 Drejtori i Qendrës së Formimit Profesional Publik Elbasan, Krenar Xhemali, u shpreh se ky program është një mundësi konkrete për të gjithë ata që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes sipërmarrjes:

 “Qëllimi ynë është t’u japim të rinjve dhe çdo individi me ide të mira biznesi mjetet e nevojshme për ta kthyer atë ide në realitet. Formimi profesional dhe programet si ‘Vetëpunësimi’ janë ura që lidhin dijen me mundësinë reale për punësim,” – theksoi Xhemali.

 Kursi do të zhvillohet përgjatë disa javëve dhe përfundon me hartimin e një plani të plotë biznesi, që mund të përdoret për aplikim në programe mbështetëse të vetëpunësimit.