Pas një beteje të gjatë me sëmundjen u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini.
Sejdini drejtoi Bashkinë e Elbasanit për 12 vite, që nga viti 2007 e deri në vitin 2019 si një nga kryetarët më jetëgjatë dhe me një kontribut të madh në qytet.
Qazim Sejdini gjithë jetën e tij ja kushtoi zhvillimit të Elbasanit duke punuar fort për tërheqjen e investimeve, jo vetëm të qeverisë shqiptare, por edhe shumë projekte të huaja të cilat do t’i jepnin një kthesë të rëndësishme zhvillimit dhe modernizimit të këtij qyteti.
Qazim Sejdini njihet si kryetari i popullit të tij, interesat e të cilëve i mbroi me çdo kusht, edhe kur ato binin ndesh me interesat e politikës.
Për nder të tij, të enjten në orën 10:00 deri në 12:00 do të bëhen homazhe tek “Teatri Skampa”.
Po kush ishte Qazim Sejdini?
I zgjedhur nga qytetarët e tij, nën logon e PS-së, Qazim Sedini qeverisi në vite shumë të vështira, kur vendi drejtohet nga PD dhe Elbasanit ju mohua çdo investim. Megjithatë nën drejtimin e tij dhe me punën e një stafi të përkushtuar, Bashkia e Elbasanit arriti të marrë investime të huaja dhe vëmendjen e ambasadave në Shqipëri të cilat në asnjë moment nuk kursyen bashkëpunimin me Elbasanin.
Por cilat janë disa nga investimet kryesore të cilat ndryshuar faqen e Elbasanit nën qeverisjen e Qazim Sejdinit?
Rikonstruksioni i bulevardit “Aqif Pasha”, heqja e kioskave dhe nxjerrja në dritë e mureve të Kalasë i dhanë qytetit një qendër të denjë dhe një pamje moderne, duke i hapur rrugë edhe zhvillimit të turizmit në zonën historike të Kalasë.
Për herë të parë në Shqipëri u ndërtua një stadium për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe emri i Elbasanit u dëgjua në të gjithë botën. “Elbasan Arena” mban firmën dhe vulën e Qazim Sejdinit.
Rikontruksioni i Parkut Rinia, Parkut Valmi, Parkut Aqip Pasha, Shkollave “Sul Harri”, “Qamil Guranjaku”, “Ali Agjahu” etj.
Po ashtu edhe lagjet morën tjetër zhvillim me investimet në rrugë, fasadat e pallateve etj.
Qazim Sejdini ishte kryebashkiaku popullor i cili foli në gjuhën e popullit dhe në mbështetje të tij. Ishte Bashkia e Elbasanit nën drejtimin e Qazim Sejdini e cila për herë të parë në vend, rreth 15 vite më parë, do të niste dëgjesat publike, para miratimit të buxhetit, për t’u dhënë zë të fortë qytetarëve në vendimmarje.
Qazim Sejdini të gjithë enegjitë e tij ja kushtoi Elbasanit dhe Partisë Socialiste dhe u nda nga jeta në ditëlindjen e 33 të Partisë Socialiste.
Biografia:
Qazim Sejdini është kryetari i 22-të i Bashkisë së Elbasanit.
Ai lindi në Elbasan në 12 shkurt të 1951. Ndoqi shkollën e mesme “Jeronim De Rada” dhe vazhdoi edukimin e tij të lartë në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës, nga 1968-1970, në degën e Edukimit Fizik. Nga 1973-1978 vazhdoi studimet e larta në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, në degën Histori-Gjeografi. Në vitet 1983-1987, ai ndoqi studimet në Institutin e edukimit fizik Vojo Kushi në Tiranë.
Në 1970 Z. Sejdini kreu shërbimin ushtarak, më pas në 1973 ai punoi si mësues historie, gjeografie dhe edukimi fizik në shkollën 9-vjeçare të Labinot Mal-it. Më pas në vitin 1974, ai u bë instruktori i Komitetit të Rinisë në Elbasan. Në vitet 1983-1992 ai punoi në Sport Klub Elbasani, fillimisht si Inspektor i lojrave me dorë e më pas ai zuri vendin e Shefit të Klubit të Sportit te Elbasanit.
Në 1995 Z. Sejdini u zgjodh President i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Elbasanit. Një vit më vonë ai u zgjodh President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe nga maji i 2002 deri në maj 2004 ai ishte President i Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Në tetor 2002 deri në Maj 2005 ai u zgjodh Prefekt i Prefekturës së Elbasanit.
Për shkak të problemeve shëndetësore Qazim Sejdini pas mandatit të tretë në krye të bashkisë u tërhoq nga jeta politike dhe kaloi vitet e fundit të jetës pranë familjes.