Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj u shpreh skeptik për lehtësimin e masave shtrënguese ndikuar nga përhapja e Koronavirus në vendin tonë. Përmes një lidhje skype për emisionin “Vizioni i Pasdites” Brataj u shpreh se lehtësimi i masave është thikë me dy presa dhe se shëndeti është gjëja parësore që duhet të mendojmë në këto momente.
“Sot u zbutën masat, por kjo është një thikë me dy presa. Nuk mbahet për shumë gjatë shoqëria e mbyllur sepse shfaqen edhe probleme të tjera. Nëse shpërthen një valë infektimesh është më shumë se sa një punë apo faktorë të tjerë. Një jetë njeriu nuk kthehet më. Kollaj nuk është për asnjë, as për punëtorin, as për biznesin. as për shkollë. Pasojat rregullohen dhe riparohen, ndërsa shëndeti jo”, u shpreh Brataj.
Pas disa ditësh izolimi, drejtori i urgjencës kombëtare u shpreh se gjendja e tij është në përmirësim dhe është në pritje të tamponit të dytë, me shpresën se do të rezultojë negativ.
“Jam mirë nga ana shëndetësore. Nuk kam ndonjë problem në këtë moment, vetëm gjëra të vogla që nuk kanë rëndësi. Jam duke marrë kohën që duhet ta bëjmë të gjithë, si personel ose jo mjekësor. Gjendja ime është e mirë. Pacientët më të këqij janë mjekët. Jemi mësuar t’i bëjmë vetë të gjitha. Jam këshilluar me specialistët. Mendoj se jam drejt negativizimit. Jam i detyruar të qëndroj edhe pas negativizimit në karantinë si të gjithë. Jam në pritje të bëj testin e dytë ende nuk e kam bërë, por këtë javë do ta përfundoj besoj”.