Gjyqtarja Enkeleda Kapedani ka pranuar shkeljen disiplinore që ka kryer me publikimin e videove në TikTok ku shihej teksa sfilonte në zyrën e saj në Gjykatën e Elbasanit dhe në sfond kishte këngë me tekst “mafia”. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka pranuar sot kërkesën për marrëveshje të gjyqtares ndërsa kundër saj do të ketë një masë më të butë. Në këtë mënyrë, ILD ka vendosur masës disiplinore “Pezullim” me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj.
Kapedani pushtoi rrjetet sociale, pas publikimit videove që ajo hidhte në Tik Tok ndërsa sfilonte në zyrën e saj. Më herët ajo në seancë dëgjimore, Kapedani kërkoi ndjesë por theksoi se po gjykohet për shkak të veshjes dhe shijes muzikore. Sipas saj videot ishin shpërndarë më qëllimin e vetëm për të goditur figurën e saj.