Të tjera detaje janë zbuluar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë e së premtes në Kërrabë, ku një i ri u gjet i djegur në një makinë.
Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë njoftuar policinë dhe kanë denoncuar se një makinë po digjej. Kur oficeret dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, konstatuan se në pjesën e pasme të mjetit ishte i shtrirë një person, i cili ishte shkrumbuar plotësisht.
Nga hetimet e kryera në terren rezultoi se dera e shoferit dhe dera e pasagjerit ishin të hapura çka e orientoi policinë drejt pistës së vetvrasjes. Po ashtu mësohet se janë këqyrur kamerat e sigurisë në terren nga ku rezultoi se Armand Mici vetëm pak minuta para ngjarjes kishte blerë ne një karburant 13 litra benzinë duke i thënë punonjësit se makina e tij nuk kishte me karburant.
Nga verifikimi i targës së makinës policia identifikoi viktimën dhe mori në pyetje familjaret e tij te cilet treguan se prej 20 ditesh 32-vjeçari kishte shfaqur shenja depresioni dhe qëndronte i mbyllur në vetvete.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën e vjetër të Kërrabës.