Situatë problematike në aksin Elbasan-Gjinar, qarkullimi i mjeteve mes ujit dhe dherave

Aksi rrugor Elbasan–Gjinar po përballet me vështirësi serioze në qarkullim paraditen e kësaj të marte, si pasojë e prezencës së madhe të ujit dhe dherave përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës. Në disa segmente, rrjedhjet e ujit dhe depozitimi i dherave e bëjnë kalimin e automjeteve të rrezikshëm, duke detyruar drejtuesit të lëvizin me shpejtësi të ulët dhe kujdes të shtuar.

Kjo situatë prek drejtpërdrejt njësinë bashkiake Gjinar, e cila përfshin fshatrat Lleshan, Gjinar, Valesh, Pashtresh, Derstile, Llukan, Sterstan, Xibresh, Maskarth, Kaferr dhe Pobrat. Banorët e këtyre zonave, por edhe drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë aks, po përballen me vështirësi të përditshme në lëvizje dhe në transportin e shërbimeve bazë.

Autoritetet lokale pritet të ndërhyjnë për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes në këtë aks, sidomos në orët me reshje apo gjatë natës./ballkanweb