Elbasani ka një problem me fitoret. Mjafton të thuhet se në kampionat tri pikët e fundit janë koleksionuar në 29 shtator, në atë fitore minimale ndaj Bylisit në shifrat 0-1. Nga koha e golit të Arsen Lleshit, verdheblutë nuk e kanë provuar më se çdo të thotë të shijosh një fitore.
Bëhet fjalë për pesë barazime dhe një humbje, që kanë kompromentuar disi edhe pozitat e verdhebluve në kampionat, sepse kanë zbritur në vendin e pestë, duke humbur ndjeshëm terren me kreun. Për këtë arsye, sfida e radhës me Tiranën është e një rëndësie të veçantë, ku përpos fitores asnjë rezultat tjetër nuk do të kënaqtë klubin, por edhe vetë tifozët.
KUPA SI SHPËTIM – Mirëpo, nëse nga Elbasani kërkohet rikthimi tek fitorja sa më parë, duket se në ndihmë i vjen pikërisht kupa. Si për ironi, fitorja e fundit në një ndeshje zyrtare është pikërisht nga ky kompeticion, ku mundën dhe eliminuan skuadrën e Turbinës me rezultatin e thellë 4-0 para një muaji. Edhe atë periudhë ekipi kishte nevojë të “shfryhej” dhe e bëri, ndonëse nuk shërbeu për mirë në kampionat, sepse ka munguar. Gjithsesi, sërish në një situatë ngërçi ku sulmuesit duhet të luftojnë edhe me faktorin psikologjik, duket se shpëtimi mund të vijë nga kupa. Këtë mesjavë verdheblutë do të presin në shtëpi skuadrën e Kategorisë së Dytë, Ilirinë, e cila vlen më shumë sesa një kualifikim. Kalimi i këtij turi është patjetër një detyrim për ekipin e drejtuar nga Roberto Bordin, por në kampin elbasanas duan ta shohin këtë sfidë edhe si një mundësi për t’u përgatitur sa më mirë për kampionatin. Shumë lojtarë nuk kanë arritur ende në pikën ku mund të bëhen vendimtarë për skuadrën dhe për këtë arsye ndeshjet e kupës në këto nivele, vijnë pikërisht në momentin e duhur për skuadra që ndodhen në pozitën e Elbasanit.
SITUATA – Edhe pse në Elbasan nuk duan ta përmendin fjalën presion, janë vetë rezultatet dhe pozitat që tregojnë të kundërtën. Nga ana e klubit kërkohet patjetër rikthimi tek tri pikët, ku edhe barazimi nuk konsiderohet më si një rezultat pozitiv. Drejtuesit kanë evituar marrjen e masave ndaj lojtarëve dhe stafit me shpresën se do të reflektojnë. Pas një gjysmë hapi pozitiv në Laç, më shumë për lojën sesa rezultatin, në rast të një humbjeje me Tiranën, edhe durimi mund të soset dhe të nisin masat ndëshkimore.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL