Ministria e Shëndetësisë ka ndalur së bëri thirrje që qytetarët t’i drejtohen spitaleve kur e shohin të nevojshme për kurim nga Covid-19 dhe u bën thirrje që të mjekohen në kushte shtëpiake. Noa. al analizoi komunikatat e përditshme që dërgohen zyrtarisht dhe konstatoi këtë ndryshim të rëndësishëm. Gjatë gjithë kohës, që nga nisja e pandemisë dhe deri më 18 shkurt 2021, kjo ministri apelonte përditë që qytetarët t’i drejtoheshin spitaleve “nëse keni nevojë për trajtim të specializuar spitalor në spitalet COVID”.
Që nga nisja e pandemisë e deri në mes të shkurtit, spitalet Covid përballuan shtrime ditore nga disa deri në 450 të sëmurë. Edhe reanimacionet që trajtojnë terapi intensive, u dynden si asnjëherë më parë duke arritur në afro 50 të sëmurë rëndë çdo ditë. Kjo situatë duket se nxiti ministrinë e Shëndetësisë që të heqë dorë nga apelet e përditshme për paraqitje në spitale duke nxitur qytetarët të mjekohen në shtëpi.
Ndaj, pikërisht kur spitalet Covid si asnjëherë tjetër nisën të mbushen plot e përplot dhe nuk kishte më pothuajse asnjë vend, Ministria e Shëndetësisë e ndryshoi komunikimin me popullatën duke bërë thirrje që njerëzit të kurohen në banesë:
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri unik 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë”, thuhet që nga 19 shkurti e në vazhdim në komunikimin e përditshëm mbi situatën pandemike.
Ndërsa deri më 18 shkurt, ishte ky apel: Edhe mjekët dhe anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve, ndryshe nga muajt e mëparshëm kanë ndalur vrullin e apelit që bënin vazhdimisht që shqiptarët të shkonin në spitale sidomos kur oksigjenin e kishin nën 93.
Aktualisht në Shqipëri gjenden 35,419 shtetas të sëmurë me Covid-19. Këtu përfshihen vetëm ata që kanë bërë tampon pasi shumë të tjerë mjekohen pa u testuar, ndërsa numri i tamponëve po bie çdo ditë dhe sikurse mësohet nga qendrat shëndetësore, ka mungesë të tamponëve dhe testeve të shpejta.
Në spitale sot gjenden 628 persona, ku 46 janë në reanimacion, ndër të cilët 18 janë të intubuar. Sot u shënua numri më i lartë i vďekjeve ditore të raportuara, 21 vetë të moshave duke nisur nga 48 vjeç. Deri tani janë identifikuar me tampon, 104,313 të infektuar, ndër të cilët 1736 vetë kanë humbur jetën. /noa.al/