Situata e përkeqësuar e motit dhe vështirësitë në terren në qarkun e Elbasanit vazhdojnë të jenë nën monitorimin e pandërprerë të Emergjencave Civile. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, ku vetëm gjatë natës kanë rënë 33 mm shi. Këto reshje kanë shkaktuar disa problematika të përkohshme, të cilat janë menaxhuar në kohë nga strukturat përgjegjëse.
Në disa akse rrugore janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh, përfshirë aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë në kthesat e Murrashit, si dhe aksin Gramsh–Moglicë ku reshjet kanë shkaktuar aluvione. Ndërhyrja e firmave të mirëmbajtjes ka bërë të mundur pastrimin e menjëhershëm të rrugëve dhe garantimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Situata hidrologjike paraqitet e kontrolluar, me prurje mesatare në përruan e Zaranikës dhe të Pajunit, ndërsa në lumenjtë Shkumbin dhe Devoll janë regjistruar nivele mbi mesatare, por pa rrezik për dalje nga shtrati apo përmbytje. Edhe lumi i Kërpices në fshatin Kërpice të Njësisë Administrative Kushovë shfaq një situatë të stabilizuar, me prurje të reduktuara.
Probleme janë regjistruar në furnizimin me energji elektrike në disa zona malore, përfshirë zonën e Sopotit në bashkinë Prrenjas, fiderin e Banjës në bashkinë Gramsh, si dhe fshatrat Selitë dhe Mollas në bashkinë Cërrik. Ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë. Emergjencat Civile të Prefekturës së Elbasanit vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë qarkun, duke mbetur në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm si pasojë e motit të paqëndrueshëm.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.